AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Përtej sherrit me gazetarët/ “Miqësi e pavdekshme me Dakon, pse s’e futa në burg Tahirin, bëj foto dhe me kriminelë”, për çfarë dha ‘llogari’ kryeministri Rama

Me mimikat, ironitë, dhe me intimidimin ndaj kujtdo që kishte përballë, Edi Rama u shfaq mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, pas një kohe të gjatë që kishte preferuar që të kishte marrëdhënie me qytetarët, vetëm përmes ERTV-së së tij. Që prej fillimit e nisi me një show, duke thënë se kishte ardhur aty me makinën e të vëllait, Olsi Ramës, Lincoln, e cila sipas opozitës është e blinduar.

Për të provuar të kundërtën Rama ftoi gazetarët e kronikës që ishin në studio që të shkonin dhe ta provonin, ndërkohë që fare mirë e gjithë çështja mund të zgjidhej me lejen e qarkullimit të mjetit, e cila e ka detyrim që të shënojë nëse mjeti është i blinduar.

Pas kësaj kreu i qeverisë kaloi në sulme personale ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj të vetmes femër që kishte përballë Klodiana Lalës, me të cilën pretendonte se kishte të drejtën e zotit që ti jepte apo ti merrte fjalën.

Për t’u rikthyer te operacioni AntiKÇK për të cilin ishte ftuar, Rama tha se ai po godet çdo kriminel, dhe po tregon njëherë e mirë se Partia Socialiste e tij nuk ka asnjë lidhje me krimin, edhe pse se kishte për problem që të kishte mikun e tij më të mirë Vangjush Dakon, të futur në listën e zezë të DASH.

Një nga deklaratat më të papara të kryeministrit, ishte ajo ku pranoi për herë të parë se Reforma në Drejtësi ishte bërë vetëm me insistimin e tij të jashtëzakonshëm dhe me lobimin në Gjermani, pasi ndërkombëtarët ishin shprehur kundër saj.

E pavarësisht projektit që mund të kishte menduar në fillim, pa dashur që ta paragjykojmë, Edi Rama ia doli që mandatin e dytë në krye të qeverisë ta zhvillojë pa praninë e Gjykatave, e të ketë dorë të lirë në shpalljen e çdo ligji e akti normativ, sa kophë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, që të vlerësojë vlefshmërinë e tyre.

Më poshtë Faxweb.al po rendit një pjesë të çështjeve që u diskutuan mbrëmjen e djeshme në Opinion.

PSE KRYEMINISTRI SHQIPTAR LËVIZ ME MAKINËN E TË VËLLAIT

Rama: Makina nuk është e blinduar, është që e vitit 2009, ma ka sjell im vëlla kur isha në opozitë. Është makina që kam pasur që në kohën e të qënurit në opozitë, nuk ka qenë kurrë e blinduar.

Fevziu: Kryeministri i shqipërisë ka makinën që ia vendos shteti, nuk mund të përdorësh makinën që të ka dhënë vëllai

Rama: Unë nuk kam dashur ti rris vetes një kosto më tepër, nuk jam shofer, di ti jap vetëm makinës së qeverisë

Rama: E ke te oborri, ik provoje nëse është apo jo e blinduar

Rakipllari:  Nuk jam i fushës, më jep një dokument që e provon se nuk është e blinduar. Që kur e tha opozita, kryeministria nuk e përgënjeshtroi të kundërtën

Rama: Të merresh me përgënjeshtrimin e çdo shpifjeje nga opozita, nga ju, i bie…

Rakipllari: Fjala jote me atë të opozitës për mua është njëlloj

Rama: Dëgjo, 100% fjala ime është fjala e një pale, fjala e opozitës është e një pale, por fjala jote i thotë publikut lidhu me të vërtetën. Nëse ti thua se kryeministri ikën me makinë të blinduar është një mëkat personal. Janë atentate që i krijoni ju, makinat e blinduara i krijoni ju

……..

Fevziu: Pse nuk doli policia të përgënjeshtrojë lajmin për aq kohë sa pretendoni se mediat e nxorën si atentat.

Rama: E dini sa gënjeshtra në ditë thuhen, të rri shteti në gatishmëri të përgënjeshtrojë.

Lala: Pse kryeministri lëviz me makinën e vëllait

Rama: E dini ju që kryeministri i vendit tënd bashkë me kryeministrin e Kosovës lëvizin me avion komercial

Lala: Thatë që lëvizim me makina të lira, që është normale për një vend të varfër si Shqipëria.

Rama: Kur ma kap kallëzuesin peng nuk shkoi dot tek kundrinori

Lala: Mos u shmang, keni ardhur për t’ju bërë pyetje

Rama: Nuk ka kryeministra që futen nëpër linja komerciale, por unë kam bërë këtë zgjedhje. Nëse të gjithë ministrat e kryeministrat e mëparshme, përdornin privat, unë dhe ministrat e mi përdorin komercialin, vetëm kur kam udhëtime në Amerikë, për shkak se jam i gjatë dhe më duhet të përballem pastaj me probleme të shtyllës kurrizore udhëtoj me privat.

RAMA PËR REFORMËN NË DREJTËSI

“Kam shkuar në Gjermani dhe i kam kërkuar personalisht Merkelit të na ndihmonte dhe përkrahte për realizimin e Reformës në Drejtësi. Nuk është kjo reformë kusht nga ndërkombëtarët. E kam thënë personalisht dhe e kemi shkruar edhe në programin politik të zgjedhjeve të vitit 2013, që ne do të bënim reformim të plotë të sistemit në drejtësi, ka qenë zotimi ynë. Madje ndërkombëtarët edhe ma kanë kundërshtuar në fillim duke kërkuar vetëm Vettingun” (Lexo edhe ketu lajmin e plote)

SPAK DUHET TË HETOJË POLITIKANËT

Edi Rama: Në këtë moment ne e kemi një rezervuar, një grup njerëzish të cilët janë të dënuar, të akuzuar, janë listë e mbyllur. Policia në këtë rast, nuk bën asgjë tjetër veçse merr nga regjistri, dhe merr pronat e tyre të deklaruara se këta kanë plot edhe të padeklaruara, dhe ia çon SPAK-ut.

Kush do ta bëjë këtë për mua? Do ta bëj vetë unë? Ka një institucion të lartë që është ILDP-ja. Ke dalë atje që ke shumë, provo pak aty si është puna e këtyre? SPAK duhet të bëjë të njëjtën gjë me çdo politikan, që është i dyshuar, të cilit t’i thotë “hajde këtu, trego tani”.

Blendi Fevziu: Ju jeni objekt i hetimit, keni përdorur para të këtyre personave. Kanë investuar para.

Edi Rama: Nëse provohet po, unë kurrë nuk kam vënë në listë persona të tillë.

Blendi Fevziu: Ta tha ambasadori Donald Lu mos vë këta persona në listë

Edi Rama: Dhe i kam thënë patjetër, keni letra që e provojnë këtë gjë?

Blendi Fevizu: Ta ka provuar BIRN

Edi Rama: Është e pavërtetë, letra që ka dalë për atë të Kavajës nuk ka qenë e disponueshme për askënd. Ne kemi kërkuar dhe kemi marrë letër nga çdo institucion. (Lexo ketu te plote lajmin) 

A MUND TË ARRESTOHET NJË GJYKATËS APO PROKUROR QË KA BASHKËPUNUAR ME KRIMIN

Blendi Fevziu: Arrestohet një gjykatës nëqoftëse mendohet se ka bashkëpunuar

Edi Rama: 100% po, me këtë që kemi kaluar dje 100%. Nëse gjykatësi jep një vendim skandaloz. ILD ka të drejtë të bëjë verifikimet. KLGJ  dhe KLP e pezullojnë, pastaj në grupin e verifikimit do jenë të gjithë inspektorët.

Blendi Fevziu: Kjo ka qenë edhe në vitet 90 dhe u quajt fitore e madhe kur u hoq.

Edi Rama: Nuk ka qenë kështu, Fevzi mos kalo te kjo. Me këtë masë ne kemi arritur ti japim të gjithë këtyre të KÇK mos guxoni të bëni më veprime të tilla sepse ca ndodh, ata japin vendime pastaj fillon historia ka dhënë letër kryetari i Bashkisë, ka dalë në fotografi me atë, bëhet një konglomerat dhe nuk merret vesh se kush është krimi.

Përgjegjësia i ngelet gjyqtarit për vendime të kësaj natyre. Sot ka një emergjencë për ta çuar luftën kundër krimit në emergjencë dhe ligji special nuk merret me asgjë tjetër përveç se me një gjë. Je dënuar sepse ke vrarë, je dënuar domethënë unë nuk merrem fare të të gjykoj nuk të shkel asnjë të drejtë, ti je i dënuar, ke trafikuar, ke bërë të gjitha të zezat.

E ke kryer dënimin ose je duke e kryer ose je akuzuar për këto krime, nuk je dënuar sepse gjykatat kanë qenë këto që kanë qenë, s’ka problem. Do provosh që kjo shishja e ujit që ke është aktivitet i punë dhe jo i aktivitetit tënd kriminal. Ligji antimafia nuk mund të funksiononte me KCK sepse janë në aleancë prandaj duhej kjo në këtë moment.

PSE NUK LEJOI QË TË ÇOHEJ NË BURG SAIMIR TAHIRI

Rama: Saimir Tahiri u akuzua dhe u kërkuar të futej në burg pas një shkrimi të një kazani, në burg jo, nuk mund ta çoja. I thashë ti Saimir do dalësh nga grupi, nuk mund të jesh në familjen tonë, do shkosh të japësh sqarime. Kush mund ta bënte këtë? Vetëm unë, vetëm Partia Socialiste Vangjush Dako e do copë ti, ta them unë…. Ka qenë është dhe do të jetë miku im

MIQËSIA ME VANGJUSH DAKON, E PAVDEKSHME, NUK IA PËRCAKTON DASH MIQTË

Rama: Si përcakton DASH mendimet e mija, por morali dhe bindja ime. Ka qenë dhe do të jetë miku im, edhe në burg të shkojë nesër do të jetë miku ime. Por ama as kam kërkuar as nuk meë ka kërkuar, nuk kemi kërkuar përkrahjen e askujt që ka problem me ligjin.

Nuk keni asnjë shans të më bëni moral ju mua, sepse mua nuk më gjen njeri asnjë qindarkë në xhep që nuk është fituar nga puna ime. Nuk me gjen askush dhe nuk më thotë askush nëse miku im ka shkelur në dërrasë të shtrembër dhe që e kam përkrahur. Dako nuk është kryetar Bashkie, nëse do të ngrihet ndonjë akuzë do të largohet nga PS

Rakipllari:  E ka thënë DASH akuzën?

Rama: Lëre çfarë ka thënë DASH-i

Rakipllari: Po Tom Doshin?

Rama: Tom Doshin e përjashtova nga partia, nuk e përjashtoja dot nga Shqipëria dhe politika. (lexo te plote lajmin) 

KACAFYTJET PËR FOTON ME ÇAPJAN, BËJ FOTO ME KËDO, NUK E DIJA SE ISHTE KRIMINEL

Artan Hoxha: Më 3 shkurt nisi OFL, më 4 zëdhënësja e operacionit publikoi inicialet. Kur iu prezantuat projektin e “Anti-KÇK”, ju thatë se një bos i botës së krimit hyri me pranga në sallën e gjyqit dhe doli pa pranga, dhe ai personi ishte nipi i këtij personit, me të cilin jeni në foto.

Ju vazhdimisht jeni akuzuar nga ish-paraardhësi juaj, që keni mbështetur grupin rival të kësaj bande. Sa fillon KCK, del emri i këtij. Ju i zgjidhni vendet ku hyni e dilni, në resortin e tij është qëlluar me armë e tanke në mes të ditës dhe unë nuk e di kush ju ka futur juve aty brenda. Askush nuk mund të rrezikojë jetën, që t’iu fus juve aty brenda.

Rama: O zotëri, je në metro apo jo, është foto e hotelit.

Hoxha: Po si shkon ti atje, si mundet. Mos e bëj fare KCK pra, se nuk ka besim.

Rama: E kupton sa gjëra qesharake ke thënë. Unë me këtë kam bërë një foto, tani OFL shkon te ky.

Hoxha: Po nuk shkon mo, por i çon një formularë, se po të shkonte, do thoja ‘bravo’.

Rama: A ka mundësi të flas unë, më tregon mua ti.

Hoxha: O zotëri, është hoteli i tij, nuk është i lagjes.

Rama: Ç’a rëndësie ka në këto që thamë, unë thashë që jam unë në foto, pastaj ai mund të përfundojë në pranga.

Hoxha: Nuk ka përfunduar në pranga.

Rama: Ka mundësi të flas unë. Unë flas me fakte.

Hoxha: Fakt është ai.

Rama: Ej, keni marrë ndonjë gjë sot, apo jeni esëll. (lexo te plote lajmin) 

SONDAZHI KU MINISTRAT I KISHIN SHTUAR MIJËRA VOTA VETES

Rama: Keni harxhuar kohën e telespektatorëve për një pseudo sondazh, duke iu thënë njerëzve që ministrat e kësaj qeveria kanë ndërmarrë një operacion për të rritur pëlqyeshmërinë e tyre në atë pseudo sondazh. Së pari duhet t’i thoni njerëzve që ai është thjesht një anketim për ata që ndjekin një emision apo gazte. Ata janë njerëz që janë të motivuar që shkruajnë, ata që e ndjekin emisionin dhe janë të pamotivuar, nuk shkruajnë

Është e pavërtetë që në atë sondazh ka pasur ndërhyrje nga ministra apo stafe të tyre. E kemi vërtetuar. Në një vend tjetër, nëse do të ndodhte diçka e tillë, do të bëhej hetim sepse atë gjë mund ta bëjnë edhe forcat që duan të diskreditojnë qeverinë e një vendi. Unë nuk mendoj që janë forca të huaja, mendoj që janë forca të brendshme. Është një gënjeshtër.

Fevziu: E patë ju vetë emisionin?

Rama: Unë nuk shoh emisione

Fevziu: Meqë nuk sheh emisione, ne bëmë testim në tre pjesë, nuk thamë sondazh, por testim. Testimin e parë e bëmë duke nxjerrë gazetarët për të pyetur qytetarët në rrugë.

Rama: Qytetarët në rrugë varet kush qëllon

Fevziu: Sigurisht kush qëllon, qëlloi edhe Basha

Fevziu: E dyta i nxorëm me letër në dorë me fotografitë e ministrave. E treta IP e përdorura, një pjesë e tyre location e kanë te partia socialiste, në selinë e PS.

Rama: Është gënjeshtër. Në selinë e PS, tani që flasim, aty ku do vendoset i gjithë operacioni dixhital, është kantier ndërtimi

Fevziu: Pse asnjë kompjuter nuk ka në PS?

Rama: Ekipi që merret me këtë punë, nuk është në PS.

Fevziu: Herën tjetër shiheni emisionin para se të dilni në përfundime. (lexo edhe ketu) 

Si pasojë e minutave që ikën me sherre dhe me përplasje personale, për herë të parë ndoshta në daljet e tij televizive, Rama nuk bëri shumë politikë, dhe nuk u pyet aspak për integrimin e vendit apo marrëdhëniet me opozitën e zgjedhjet e parakohshme.

(E.K/Faxweb.al)

Fjalët Kyce

A ju duket i drejtë vendimi i qeverisë Rama për të kufizuar dhe lëvizjen e këmbësorëve si masë për të parandaluar përhapjen e COVID 19?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *