Qeveria shqiptare pritet që të sjellë një sasi të madhe dozash të vaksinës kineze Sinovax, në muajin Prill, që përkon dhe me atë të fushatës elektorale. Edhe pse asnjë nga vaksinat, ruse apo kineze, nuk janë miratuar nga EMA, qeveria shqiptare ka vendosur që të nisë negociatat me to, dhe gjasat janë që të sigurohen doza nga Sinovax, për të cilën ka shumë pak të dhëna mbi efikasitetin.
Mjekë të ndryshëm, përfshirë Kita Sallabandën nga Spanja dhe doktor Ilir Alimehmetin, thanë dje se vaksina kineze është e paprovuar, dhe nuk dihet efikasiteti i saj në mosha të caktuara. Por për Silva Binon ISHP-së, shqiptarët duhet të jenë të qetë pasi vaksina është përdorur në shtete të dorës së tretë si Kamboxhia apo Ekuadori.
“Sinovac është më e lehta për t’u aplikuar, mund të përdoret kollaj në të gjitha programet. Përdoret kryesisht për moshat më të reja dhe është me virus më të dobësuar. Përsa i përket përsëritjes së vaksinës kineze çdo vit do ta shohim, pasi ne po jetojmë në garë me kohën dhe e rëndësishme është që të kemi vaksina. Është aplikuar në disa shtete si: Kamboxhia, Ekuadori, Azerbaxhani, Turqia etj.”.
Ndër të tjera Bino u shpreh se ekziston frika dhe dyshimi në popullatë lidhur me këtë vaksinë.
“Kemi frikë që njerëzit edhe mund t’i refuzojnë pasi çfarë nuk dëgjohet në media, vendet e lidnjes janë më pak të besueshme në popullatë, por nuk do të thotë që janë më pak efiçente. Duhet të punojmë me popullatën”, përfundoi ajo.
Mbetet për t’u parë nëse shqiptarët do të pranojnë që të vaksinohet me Sinovax, në një kohë kur shtete e zhvilluara kanë akuzuar Kinën se ka manipuluar të dhënat për Covid 19, dhe prej kohësh nuk dëgjohen lajme nga vendi aziatik, sesi është ecuria e pandemisë dhe e rasteve të infektimeve.
(E.K/Faxweb.al)