4 persona janë arrestuar pas protestës që u mbajt ditën e djeshme në fshatin Thirrë të Mirditës kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonë, që sipas banorëve do të ndikonte në jetën e zonës, duke i lënë pa ujë të pijshëm.
3 prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje që kishin ardhur të mbështesnin protestën e organizuar nga banorët, ndërsa sipas policisë është arrestuar dhe organizatori nga Lezha.
Të arrestuarit janë, Besnik Paci, 48 vjeç, banues në Lezhë dhe Etnik Berisha, 22 vjeç, Endrit Bytyqi, 21 vjeç dhe Çlirim Gerbeshi, 22 vjeç, banues në Kosovë.
Akuzat që rëndojnë mbi personat e arrestuar janë kundërshtim i forcave të policisë dhe protestim i paligjshëm duke bllokuar aksin Milot-Morinë.
Ndërkohë që 30 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si pjesëmarrës në protestë.
Njoftimi i plotë
Në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme, rreth orës 12:30, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fan, Mirditë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
B. P., 48 vjeç, banues në Lezhë, organizatori i protestës së paligjshme; E. B., 22 vjeç, E. B., 21 vjeç dhe Ç. G.,22 vjeç, banues në Kosovë.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 shtetas të tjerë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Në mesin e të shoqëruarve në komisariat ditën e djeshme ishte dhe gazetari i Fax Neës Preng Gjikola, i cili edhe pse deklaroi se ishte punonjës i medias, dhe po bënte detyrën e tij, u shoqërua në mënyrë të jashtëligjshme nga Policia.
Ai u mbajt në mënyrë të paligjshme për 4 orë në komisariat, dhe vëtëm në sajë të insistimit të bërë nga Fax News, arriti që të lirohej. (Lexo edhe ketu)