Pas një raportimi të bërë në Fax News për rënien e një tavani në Qytetin Studenti, në një godinë të sapo inaguruar nga Bashkia e Tiranës, ka reaguar edhe kjo e fundit duke e quajtur ngjarjen si “një lajm të pavërtetë që ka qarkulluar nga një media pranë Partisë Demokratike.
Mësohet se tavani ka rënë mbrëmjen e kaluar, ndërsa disa nga studentët janë larguar në godina pa kaluar as 4 muaj nga rikontruksioni, pasi në muajin maj të viti 2019, është bërë ndërhyrje në ndërtesën me numër 20. Madje, është trumbetuar si një investim i rëndësishëm për Qytetin Studenti, ndërkohë që sot situata paraqitet deri diku alarmante.
Ndërkohë që nuk ka zgjatur shumë dhe brenda pak orësh, një tjetër lajm u raportua në lidhje me zhvendosjen e familjes së kryedemokratit Lulzim Basha në një vilë super luksoze në periferi të Tiranës.
Fax News e raportoi të plotë artikullin në fjalë, i cili kishte të bashkangjitura edhe disa foto të një vile luksoze e cila ndodhet në kompleksin “Long Hill”, në periferi të Tiranës, ku ishte kapur duke lëvizur dhe makina e Bashës.
Lidhur me këtë lajm, reagoi menjëherë edhe zyra e shtypit të PD-së, ku shprehet se lajmi ka për qëllim dezinformimin, ndërsa pranon se Basha ka ndryshuar përkohësisht banim deri në momentin e rikonstruksionit të banesës së tij të dëmtuar nga tërmeti.
Më tej në këtë reagim thuhet se shtëpia ku po qëndron familja Basha përkohësisht, është më e vogël se ajo në rindërtim, duke hedhur poshtë pretendimet se kishte pishinë dhe sipërfaqe të madhe.
Në fund, reagimi mbyllet duke thënë se lajme të tilla janë trillime të sponsorizuara nga qeveria.
“Banesa me qera e familjes se zotit Basha jo vetem nuk ka pishine, por eshte me e vogel sesa banesa e tij ne rindertim. Gjithcka tjeter eshte trillim i sponsorizuar nga qeveria”, shkruhet në reagimin e PD-së.
Vetëm brenda 3 orësh u ‘zbulua ashiqare’ se Fax News dhe Faxweb është media e paguar edhe nga qeveria dhe nga opozita, madje në të njëjtën kohë.
Një ‘precedent’ i rrallë në gazetarinë shqiptare!
Të vënë nën një ‘presion’ të tillë, sigurisht intimidues për median dhe gazetarët tonë, dy krahët agresivë të politikës shqiptare duhet të kuptojnë se na kanë vënë mu në mesin e peshores, saktësisht aty ky një media duhet të jetë.
Edhe një herë sa për rikujtesë: Refuzojmë të jemi pranë ndonjë partie apo subjekti politik. Do të jemi përherë krah të vërtetës dhe qytetarëve e asnjë etiketim s’do na ndalë të përcjellim në mënyrë transparente çdo informacion që për ta përbën shqetësim, rëndësi dhe interes.
(FAXWEB.AL)