Detaje të reja dalin në dritë nga atentati mafioz i mëngjesit të ndjeshëm në qytetin e Durrësit, ku mbeti i vrarë me breshëri plumbash shtetasi Edmond Koçi, i njohur ndryshe dhe me nofkën Mond Çekiçi, ish-anëtar i Bandës së Durrësit, dhe një personazh plot me dritëhije sa i takon marrëdhënieve me drejtësinë.
Gjatë natës si persona që mund të kenë dijeni për vrasjen janë shoqëruar 23 persona, ndërkohë që burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Fax News se në vendin ku u vra Koçi janë gjetur 35 gëzhoja.
Arma që është përdorur në vrasje është e llojit AK-47, e cila sipas ekspertëve dyshohet se është blerë jashtë vendit, pikërisht për eleminimin e anëtarit të bandës së Durrësit.
Koçi, i cili u qëllua me breshëri plumbash sapo doli nga banesa e tij, duhet të ishte nën masën e arrestit të shtëpisë, pasi Gjykata e kishte liruar nga burgu, gjatë muajve të pandemisë, pasi ishte dënuar me pak vite burg. (Lexo edhe ketu)
Koçin e “shpëtoi” nga burgu COVID-19 me kërkesë të Prokurores Rabiana Halili e cila, çuditërisht dy ditë pas vendimit paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. Vendimi për lirimin e tij u mor nga gjyqtari Petraq Çuri, i cili gjatë seancës ka argumentuar:
“Por kjo gjykatë,konformë nenit 244/3 të KPrP, nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo që propozon prokurori, dhe për rrjedhojë pavarësisht opsioneve kundërshtuese që ajo ka, është e detyruar për efekt të ligjit ta miratojë kërkesën e caktimit të masës së “arrestit në shtëpi…”.”
Edhe pse gjykata kishte vendosur që Çekiçi të qëndronte me detyrim në shtëpi, ai këtë të Shtunë po dilte i shoqëruar nga shoferi i tij duke lëvizur i patrazuar në rrugët e qytetit bregdetar.
Koçi është shfaqur dhe në fushatën e vitit 2017 në shoqërinë e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe ministrit të turizmit Blendi Klosi, ndërkohë që në Durrës të gjithë ”mbyllnin gojën” kur pyeteshin lidhur me aktivitetin e tij.
Shoferi që shoqëronte Koçin në momentin e atentatit, është dhe personi që pritet të hedhë dritë me dëshminë e tij, për autorët, të cilët derimë tani nuk janë identifikuar nga ana e Policisë.
Burime nga policia thanë për gazetaren e ‘Fax News’ Kloida Gjuzi, se shoferi është pa precedentë penalë, ndërkohë që vetëm prej pak kohësh punonte si shofer i “Çekiçit”. Mësohet se shoferi ka thënë përpara hetuesve se kanë qënë tre persona të përfshirë në atentat.
“Na zunë rrugën. Dola nga makina për t’i pyetur ç’kishin dhe sa lëviza pak hapa pashë brenda makinës burra të maskuar me shallë dhe kapuçë dhe njërin prej tyre me armë në dorë. U tmerrova, nuk pashë asgjë më shumë, por renda të shpëtoja veten.
Ika me vrap u futa në rrugicën përballë shkollës profesionale dhe sapo nisa të vrapoja dëgjova derën e makinës qe u hap. Kisha lëvizur shumë pak kur dëgjova zhurmën e të shtënave.
Nuk kisha fushëpamje, sepse u futa në rrugicë dhe më pengonte pjesa e pasme e shkollës. Po të qëndroja në makinë do më kishin vrarë. Unë nuk e di kush mund të ketë pasur konflikte me Mond Çekiçin”, mësohet të ketë deklaruar shoferi.
Gjatë marrjes në pyetje shoferi është pyetur edhe nëse ka pasur dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të “Çekiçit” me persona të tjerë, por ai është përgjigjur se nuk di të ketë pasur probleme. (Lexo edhe ketu lajmin)
Makina e dyshuar si e përdorur në vrasjen e Edmond Çekiçit është gjetur e djegur disa minuta pas vrasjes në zonën e Katundit të Ri.
Dyshohet se vendi i djegjes së makinës nuk është i rastësishëm, duke qenë se rruga aty pranë ka dalje në autostradë. Sipas dyshimeve të para, autorët e ngjarjes janë pritur nga një makinë tjetër në vendin ku është djegur makina, të cilat i kanë transportuar më tej.
Brenda makinës së djegur, Policia ka gjetur dhe kallashnikovin e përdorur në atentantin e djeshëm në Durrës.
Kush është Edmond Koçi, apo Mond Çekiçi
Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe “Mond Çekiçi”, nuk është një emër i panjohur.
Policia e Durrësit e ka konsideruar si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”. “Mond Çekiçi”, shoqërohej me Emiljano Shullazin “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë. Dyshohet se shkak për vrasjen e Koçit është bërë e kaluara e tij.
(E.K/Faxweb.al)