Kjo e dielë e 21 Marsit i ka gjetur disa zona të vendit nën pushtetin e reshjeve të borës, që kanë arritur deri në 15 centimetra në Korçë, Mirditë dhe në fshatrat e malësiosë së Librazhdit.
Gjatë natës së kaluar të paktën tri njësi Administrative të Bashkisë Mirditë janë mbuluar nga reshjet e borës, trashsia e të cilës varion nga 5 deri 15 cm. Bëhet fjalë për njësitë Administrative Fanë, Orosh dhe Selitë. Reshjet e borës në këto zona vijojnë të bien edhe sot por deri tani me intesitet të ulët.
Nga reshjet e borës të mbrëmjes së shkuar ende nuk ka probleme me bllokimin e rrugëve rurale. Furnizimi me energji elektrike nuk ka patur probleme të mëdha, përveç në ndonjë zonë të thellë ku ka patur shkëputje të sajë në periudha të shkurtëra. Edhe rruga e Kombit deri tek tuneli i Kalimashit është e hapur dhe përshkohet normalisht pasi trashsia e borës është e pa përfillshme, sapo ka nisur të zbardhë.
Temperaturat e ulta në këtë stinë shkaktojnë dëme në bujqësi, kryesisht tek pemët frutore të cilat tani janë në ciklin e lulzimit, gjë që ndikon direkt në uljen e prodhimit duke dëmtuar sythet e sapoçelura. Po ashtu dimri i vonuar shkakton anomali në mbashtrimin e blegtorisë pasi baza ushqimore është e pakët për shkak se këto zona kanë mbi katër muaj që i ushqejnë kafshët me bazë ushqimore që e kanë rezervuar gjatë verës.
Në Qarkun e Korçës gjatë natës ka patur reshje dëbore të cilat vazhdojnë ende me alternime. Trashësia e borës varion nga 5cm deri në 15 cm,ndërkohë që brenda në qytet sasia e reshjeve të rëna është e vogël, duke mos krijuar të paktën derimë tani probleme në qarkullim.
Në rrugën e Dardhës nga km 8 – km 14 rekomandohen kalimi i mjeteve me zinxhirë ose goma dimërore. Vështirësi paraqet edhe segmenti rrugor i Bigllës në rrugën e Doganës Goricë. Në akset e tjera mund të kalohet pa probleme, edhe pse këshillohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve, pasi ka shumë lagështirë në rrugë.
Derimë tani nuk raportohen probleme serioze në furnizimin me energji elektrike të këtyre zonave.
Reshje bore ka pasur dhe në zonat e thella rurale të Librazhdit dhe Prrenjasit: Sopot,Polis,Fushë Studë, Gurakuq, Rrajcë Bardhaj, Rrajcë Skënderbej, ku trashësia e dëborës kalon 15-20 centimetra.
(E.K/Faxweb.al)