Janë neutralizuar flakët e zjarrit të madh që përfshiu fshatin Pilur të Himarës.
Gjatë një interviste ekskluzive për “Fax News”, perfekti i Vlorës, Flamur Manaj theksoi se situata e zjarreve në të gjithë qarkun e Vlorës është neutralizuar.
“Zjarri në fshatin Pilur është neutralizuar plotësisht. Situata ka qenë shumë e vështirë për shkak të erërave të forta pasditen e djeshme dhe ndërhyrja nga ajri ka qenë e pamundur për tu realizuar. Prej ditës së djeshme kam qenë prezent në Pilur dhe në Himarë së bashku me drejtorin e agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile zotin Çako. Kam monitoruar situatën e vështirë për shkak të erërave të forta zjarri kishte përfshirë sipërfaqe të mëdha tokash. Momentalisht që flasim situata në Kuç është drejt mbylljes dhe në qarkun e Vlorës nuk ka asnjë rast tjetër të vatrave të zjarreve”, tha Flamur Manaj.
Mbrëmjen e djeshme një zjarr masiv ka rënë në fshatin Pilur të Himarës duke përfshirë sipërfaqe të mëdha tokash të cilat u favorizuan edhe nga erërat e forta. Shërbimet zjarrfikëse gjatë gjithë natës kanë punuar për të qetësuar situatën.