Dy turistë janë raportuar të humbur në zonat e thella të Valbonës, që prej ditës së djeshme. Policia ka nisur kërkmiet për ta gjatë gjithë natës, deri në orën 03:00 të mëngjesit, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë prej tyre.
Ndërkohë kërkimet për t’i gjetur po vijojnë edhe gjatë ditës së sotme. Por situata është komplikuar pasi dy turistët kanë fikur edhe telefonat e tyre.
Valbonë, Tropojë
Më datë 03.06.2021, në mbrëmje, në Valbonë, dy turistë, nga Suedia dhe Rusia, kanë humbur rrugën duke eksploruar territorin nga Valbona në drejtim të Thethit.
Menjëherë janë angazhuar Forcat e Policisë së Tropojës për gjetjen e tyre. Për shkak të terrenit të vështirë vazhdojnë kërkimet nga punonjës policie që po kontrollojnë territorin me këmbë.
Kërkimet intensive nga shërbimet e Policisë kanë vazhduar që prej mbrëmjes së djeshme, kur turistët kanë shkëputur kontaktet për shkak të fikjes së celularëve nga rënia e baterisë.
Punonjësve të Policisë që janë në kërkim të turistëve i janë bashkuar edhe alpinistët e vendit.