Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë në një deklaratë për mediat ku është shprehur për procesin zgjedhor të deritanishëm, si dhe për shifrat e pjesmarrjes së qytetarëve në votime.
Selim Selimi, këshilltar i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, deklaroi nga selia e AAK-së se, situata ka qenë përgjatë gjithë kësaj pjese të ditës e qetë dhe e rregullt, ndërsa duke e krahasuar me pjesmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e 2017, ai tha se përafërsisht paraqitet e njëjtë.
Selimi publikoi edhe disa të dhëna paraprake mbi pjesmarrjen në votime deri në orën 13:00 ku përmendi disa prej komunave, atë të Prishtinës me 13%, të Gjilanit me 12%, të Gjakovës me 17%.
Zyrtari i AAK-së, ripërsëriti thirrjen ndaj qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në votime përgjatë kohës së mbetur, duke argumentuar se sot është dita e tyre dhe ata vendosin për të ardhmen e vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen zyrtare të tij ka publikuar shifrat për daljen në votime për secilën komunë të Republikës së Kosovës.
Dalja e përgjithshme deri në orën 15:00 është mbi 29 për qind nga totali i përgjithshëm, gjithmonë bazuar në të dhënat e dërguara në KQZ.
Përkthyer në numër deri tani kanë votuar më shumë se 400 mijë persona.
Këto të dhëna janë dërguar nga 83,67 për qind e vendvotimeve, ndërkohë të dhënat përditësohen nga KQZ-ja kohë pas kohe. /GazetaExpress/
Këtu e gjeni linkun e KQZ’së, ku përditësohen të dhënat.
(F.GJ/FAXWEB.AL)