Kryeministri Edi Rama mbërriti ditën e djeshme në Athinë si kryetar i OSBE-së dhe darkoi me kryeministrin grek, Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm Nikos Dendias. Mediat greke kanë zbuluar temat e diskutimit në darkën e tyre, ku u fol kryesisht për zhvillimet aktuale në Mesdheun Lindor, me theks në veprimet e Athinës për të kufizuar Zonën Ekonomike Ekskluzive me Italinë dhe Egjiptin.
Burimet qeveritare thanë se të dy kryeministrat patën mundësinë për të diskutuar rrjedhën e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë, të cilën Greqia e ka mbështetur me kalimin e kohës, duke respektuar gjithnjë kushtin e vendosur nga Këshilli Evropian. Ata shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin brenda NATO-s.
Nuk mbeti jashtë diskutimit edhe Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri, e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Mitsotakis dhe Rama shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë në Greqi.
Në përfundim, ata ranë dakord të punojnë së bashku që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në kontekstin dypalësh dhe të kenë potencialin e madh që të krijojnë marrëdhënie strategjike midis dy vendeve.
Ushqimet që i kanë shoqëruar gjatë gjithë bisedës kanë qenë meze të lehta me prodhime deti, Dental nga deti Jon me salcë vere, rozmarinë dhe borzilok, ndërsa për ëmbëlsirë Sorbeto dhe Mous çokollate ose krem parfe me akullore.(A.M/Faxweb.al)