Young Zerka, në intervistën e fundit për “Pushime on Top”, ka folur jo vetëm për projektet e tij muzikore dhe karrierën, por si rrallëherë edhe për jetën personale. Kjo intervistë është zhvilluar në Korçë nga moderatorja e njohur Ori Nebiaj, së cilës i ka rrëfyer të gjitha kujtimet që e lidhin me qytetin e tij të lindjes.
E kur flasim për kujtime, Ori nuk mund të mos e pyeste Zerkën edhe për historitë e tij të para të dashurisë.
“Unë kam ikur i vogël nga Korça. Dashuriçkat e para i nisa jashtë, por edhe këtu kam kujtime. Vajzat që kishim qejf, i kishim nëpër lagje dhe shkolla”, rrëfeu Zerka. I pyetur nëse e ka parë ndonjëherë vajzën, për të cilën ka përjetuar emocionet e para, Zerka tha se ajo ka ikur në SHBA. Gjithashtu, ai ka treguar edhe mënyrën si i ngacmonin vajzat në atë kohë: “U hidhnim aeroplanka ku shkruanim diçka, sepse atëherë nuk kishte as ‘Facebook’ as ‘Instagram’”.
Ndërsa për sa i përket historisë së tij më të përfolur të dashurisë me Ronela Hajatin, me të cilën ndan aktualisht të njëjtin label, ai ka preferuar të mos përgjigjet duke shijuar pamjen e mrekullueshme të malit të Moravës.
Zerka dhe Ronela vendosën t’i japin fund pak javë më parë lidhjes disavjeçare, e cila u shoqërua me disa duete.