Deputeti Ferdinant Xhaferaj në fjalën që ka marrë në Kuvend, i ka drejtuar disa pyetje Kryeministrit Rama .
Xhaferaj gjithashtu i ka nxjerrë një video Ramës kur ishte në opozitë, ku ai akuzonte qeverinë e asaj kohe se ishte shkaktarja duke e quajtur çetë të kusarëve.
“Kjo që ndodh nuk ndodh për shkak të zotit, hargimit të lumenjve, Shkodra stërpëmbytet e do vijojë të përmbytet se Shkodra nuk qeveriset, nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve, por një çetë të kusarëve”, thoshte ndër të tjera Rama asokohe
Xhaferraj: Sigurisht, ne nuk ju akuzojmë ju për reshjet e shiut, por është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe qeverisë tuaj, që të merrni masat e nevojshme paraprake për të minimizuar efektet e përmbytjeve, dhe masat urgjente që kërkon situata aktuale. A kishte informacion qeveria lidhur me reshjet dhe cilat janë investimet kjo është shumë e rëndësishme. Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve, në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
E di që pas meje, kryeministri do të vijë këtu, dhe sic i është bërë zakon, do të lëshojë një batërdi sharjesh dhe fyerjesh ndaj deputetëve të opozitës, si njerëz pa fe e pa atdhe, por ajo që ka rëndësi për ne ta dinë qytetarët është se kjo opozitë, ky grup parlamentar qëndron në mbrojtje të interesit të tyre, e në këtë rast të jetës, shëndetit dhe pronave të tyre.
Por, kryeministri duhet të vijë këtu dhe t’u japë përgjigje disa pyetjeve për qytetarët shqiptarë:
1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare nga Departamenti i Meterologjisë, pranë Institutit të Gjeoshkencave, dhe Shërbimi Meterologjik Ushtarak, lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim?
2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria shqiptare për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë?
3. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, sic deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni?
4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë?
5. A ka qeveria shqiptare sot një inventar të plotë të shtëpive, tokave, arave me të mbjella, bagëtive, pallateve, akseve rrugore të përmbytura apo të dëmtuara nga vërshimi i ujit dhe përmbytjet?
6. A ka bërë qeveria shqiptare një vlerësim paraprak të dëmeve materiale të shkaktuara qytetarëve?
7. Ministri i Mbrojtjes, Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por ndërkohë nuk thuhet nëse ky është një fond për të gjitha bashkitë apo për secilën bashki më vete. Megjithatë, nga vlerësimi paraprak i kryer nga ana juaj, a është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara?
8, Nga të dhënat që dispononi, a pritet që situata e motit, e për rrjedhojë edhe niveli i reshjeve të përkeqësohet në ditët në vijim? Nëse po, cilat janë masat e marra nga ana juaj apo që do të merren në ditët në vijim?
9. Cilat janë projektet apo investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës?
10. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta? Nëse po, cilat kanë gjetjet e këtij vlerësimi dhe cilat janë masat e marra?
11. A do të shpallë qeveria gjendjen e fatkeqësisë natyrore sipas kërkesës së bërë nga deputetët e PD-së, që do t’i mundësojë institucioneve mjetet dhe masat adekuate për t’iu përgjigjur situatës?
Kërkojmë përgjigjet e kryeministrit ku është çeta e kusarëve, është përmbytur dhe do të stërpërmbytet.