Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Marjus Demës, për një masë më lehtësuese, pasi vrau shokun e tij Mehmet Qema, në zonën e 5 Majit në Tiranë.
Togat e zeza të apelit të kryeqyteti nuk pranuan kërkesën e Demës për masë më të lehtë sigurie duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë që e akuzon të riun për vrasje me dashje.
Ndërkohë vetë Dema është shprehur se vrasjen e ka bërë pa dashje, dhe me viktimën kanë qenë shumë miq, ndërkohë që më herët janë liruar nga qelia personat e tjerë që ishin dëshmitarë në ngjarjen e rëndë, dhe u akuzuan fillimisht për moskallëzim krimi.
Dema është shprehur pas vrasjes se nuk e dinte që arma ishte e mbushur në momentin që ia ka drejtuar Qemës, ndërsa duke qarë me ngashërim, ai ka thënë se më shumë i vinte keq për shokun që vrau se për burgun që do të bëjë.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme.
Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën. Më shumë më vjen keq për mikun që humba, sesa për burgun që do të vuaj”, ka thënë 28-vjeçari në polici.
(E.K/Faxweb.al)