Protestues nga Elbasani, Korça dhe rrethet e tjera të këtyre dy qarqeve janë mbledhur në Elbasan tek kryqëzimi i Bradasheshit duke bllokuar të gjitha akset kryesore rrugore.
Ata kanë djegur edhe disa goma makinash në mes të rrugës ku kanë bërë thirrje kundër qeverisë dhe kanë kërkuar largimin nga drejtimi i qeverisë të Edi Ramës.
Në këtë zonë marrin pjesë dhe ish-deputetët e opozitës midis të cilëve janë, Esmond Spaho, Endri Hasa, Luçiano Boçi, Ervin Salianji, Hekuran Hoxhalli.
Ndërkohë ndryshe nga vendet e tjera ka nisur protesta e opozitës në qytetin e Fierit, ku protestues të shumtë të cilët janë përqëndruar në rrethrrotullimin e Sheqit, nën thirrjet kundër kryeministrit kanë bllokuar rrugën duke mbajtur në duar pankarta me fytyrën e Nikola Maduros.
Në rrethrrotullimin e Sheqit atyre iu bashkuan edhe simpatizantë të PD-së dhe qytetarë nga Berati, Kuçova dhe Ura-Vajgurore, ndërsa në përkrahje të qytetarëve gjatë marshimit të tyre në këtë qytet ka qenë ish deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj.
(F.GJ/FAXWEB.AL)