Kryeministri Rama po qëndron stoik idesë së tij se duhet që studentët të ulen në dialog për të biseduar për kërkesat e tyre, që sipas tij vetëm përmes bisedimeve dhe jo ultimatumeve do të mund të marrin zgjidhje.
Nga ana tjetër mes studentëve mbizotëron mendimi se Rama në fillim duhet të deklarojë publikisht plotësimin e 8 kërkesave të tyre, dhe më pas ata mund të ulen në dialog për të diskutuar.
Por me të drejtë studentët janë skeptik për këtë ftesë të Ramës. Ata kanë pyetur se ku qëndron problemi që kryeministri nukiI plotëson kërkesat në fillim dhe më pas të zhvillohen bisedimet, por ai pohon se do zgjidhen problemet e tyre, por në fillim studentët duhet të ulen të bisedojnë.
Rama me të tilla protesta, jo në përmasa të mëdha është përballur dhe më parë dhe ai duket se ka përdorur të njëjtën metodë. I ka ftuar në dialog.
Por cili ka qenë epilogu i atyre protestave? A i kanë arritur qëllimet e tyre?
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në 5 nëntor 2014, qeveria vendosi që studentet e Fakultetit të Gjeologji Minierave të transferohen në një godinë tjetër, pasi godina e tyre do t’i kalonte Gjykatës së Lartë. Për të kundershtuar këtë vendim studentët e fakultetit të Gjeologji Minierave dolën në protestë, ku u ballafaquan për këtë problem edhe me vetë Kryeministrin Edi Rama, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte ardhur në pushtet.
“Mënyra se si është marrë ky vendim është alarmante. Nuk jemi konsultuar dhe as vënë në dijeni më parë se duhet të zhvendosemi”, deklaronte në atë kohë pedagogu pedagogu i Gjeologjisë Inxhinierike, Redi Muçi për BIRN. Ai pohonte se stafi pedagogjik dhe studentët e këtij fakulteti janë informuar nga media se duhet të lëshojnë godinën, pa u konsultuar më parë nga drejtuesit e fakultetit apo përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.
Kryeministri i cili sapo kishte ardhur nga paraqitja e tij prej “trimi” në Beograd, duke parë situatën vendosi të dalë nga zyra dhe t’i takojë vetë protestuesit. Përveç show-t të dukshëm, që do ta përdorte shumë herë gjatë qeverisjes së tij, deri dhe në protestën e fundit, Rama me një ton kumbues u tha se “Jemi për të gjetur zgjidhje”, duke shtuar se trimërinë ata duhet ta kishin treguar në kohën e Enver Hoxhës, jo tani.
Madje, ashtu si tani, ai përpiqet që t’ju hedhë fajin dhe rekrorit dhe dekanit, të cilëve (sipas tij) ai u kishte komunikuar se nuk kishte asnjë arsye se pse studentët dhe pedagogët duhet të protestonin, “Pasi nuk ka asnjë urdhër që ju të dilni jashtë”, u thoshte Rama studentëve dhe pedagogëve para kryeministrisë.
“Nuk do të detyrojë qeveria asnjë largim nga pa pasur projektin dhe mjediset ashtu siç i takojnë universitetit në po atë vend, por jo në atë hapësirë”, u deklaronte ai para syve.
Por ndryshe nga sa thoshte Rama se nuk kishte VKM për vendosjen e Gjykatës së Lartë në godinën e fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, e vërtetë ishte krejt e kundërta.
Fakulteti vazhdon të jetë në administrim të Ministrisë së Drejtësisë, madje as këtyre ditëve nuk është kujtuar nga askush që në listën e kërkesave të jetë edhe ajo që godinat duhet tu kalojnë në pronësi universiteteve.
Nuk do kalonte shumë kohë nga ky “dialog” mes Ramës dhe studentëve e pedagogëve të këtij fakulteti që sot nuk ka as godinë, sërish këta të fundit do u riktheheshin protestave.
Ata ndiheshin të tradhëtuar nga kryeministri i cili i kishte lënë në baltë dhe nuk kishte mbajtur premtimin e dhënë, por protestat e tyre tashmë kishin rënë në veshin e shurdhër.
Studentët e këtij fakulteti mbetën pa godinën e tyre prej vitit 2014. Ata këto ditë u janë bashkuar protestës së studentëve për plotësimin e 8 kërkesave.
Duke marrë parasysh edhe historinë me ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar, stadiumit kombëtar dhe Unazës së Re, kur deklaronte se “Edhe Enver Hoxha pot ë ngrihej nuk ua prish shtëpitë”, duket qartë se historia se si ka manovruar kryeministri në raste të ngjashme, u jep të drejtë studentëve, që pa u plotësuar kërkesat e tyre ata nuk mund të ulen në dialog. (Besnik Hallaçi.Faxweb.al)