Pas konfirmimit të rasteve me koronavirus në vendin tonë, qeveria zhvilloi një mbledhje të Këshillit të Ministrave ku siç ishte paralajmëruar u caktua si strukturë për karantinën për të prekurit nga koronavirusi, ‘Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve’ në Plepa të Durrësit.
Ministria e Mbrojtjes do të kordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.
Ministrisë së Mbrojtjes në buxhetin e miratuar për vitin 2020 për të përballuar këtë situatë i shtohen fondi prej 13 824 000 lekësh dhe 11 000 000 lekësh. Ndërkohë që Ministrisë së Shëndetësisë i janë shtuar për përballimin e situatës edhe 400 milionë lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave.
VENDIMI I PLOTE NGA QEVERIA
1. Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.
- Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:
- a) rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;
b) blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
c) sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;
ç) sigurimin e shërbimit të lavanderisë. - Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në artikullin buxhetor 602, “Mallra dhe shërbime”, dhe në artikullin buxhetor 231, “Shpenzime kapitale”, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekësh dhe 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh.
- Efektet financiare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.
- Ministria e Mbrojtjes të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.
- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psikosocial për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi.
- Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.