Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj teksa ka qenë në një event për teknologjinë, ku Albanian ICT Awards kurorëzoi edicionin e saj të 8-të me ndarjen e çmimeve fituese në 7 kategori të ndryshme ka folur dhe për projektin e Piramidës.
Vëliaj tha se javën tjetër do të hapet gara për transformimin fizik të Piramidës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro amerikan.
“Ne jemi në një fazë rekrutimi për qendrën tonë “Tumo”. Javën tjetër do të fillojmë me garën për Piramidën, por teksa bëjmë garën fizike për transformimin fizik të Piramidës, kemi marrë një vendim me aleatët tanë strategjikë, Fondin Shqiptar-Amerikan: do ta fillojmë punën duke përdorur sallat e konferencave dhe klasat tek stadiumi “Arena Kombëtare”, që këtë vjeshtë. Do jemi edhe ne një operator për të mësuar kodimin”, deklaroi Veliaj.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ambicia për Tiranën në 2030 është të jetë kryeqyteti dixhital i rajonit. “Ambicia për Tiranën në 2030 është të jetë kryeqyteti dixhital i këtij rajoni, në mos i gjithë rajonit, të paktën i trevave shqiptare dhe ndoshta është e vetmja iniciativë që e ka arritur këtë lloj bashkimi kombëtar, pa burokraci, pa bujë, pa shumë llafe, por me një produkt konkret. Kjo është ambicia ime, shpresoj që është edhe ambicia juaj dhe mezi pres ta vazhdojmë këtë bashkëpunim sa më të gjatë”, theksoi Veliaj.