Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar këtë të hënë Albin Kurtin, me rastin e detyrës së re si Kryeministër i Kosovës.
Duke i uruar suksese në detyrën e re, Basha i premton Kurtit se PD-ja do të qëndrojë fuqimisht krah Kosovës ashtu sicc ka qëndruar gjithmonë, marrëdhënie e cila do të përforcohet edhe më tej nëse Basha zgjidhet Kryeministër pas 25 prillit.
“Si gjithnjë në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen, unë dhe PD do të qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të Kosovës
Urimet më të mira kryeministrit të ri të Kosovës z. Albin Kurti dhe qeverisë së drejtuar prej tij në përmbushjen me sukses të përgjegjësive dhe tejkalimin e sfidave me të cilat përballet Kosova. Suksesi i Kosovës është suksesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo që ndodhen.
Urimet më të mira shkojnë sot dhe për deputetët e kuvendit të ri të Kosovës. Jam i bindur se forcat politike në Kosovë do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për tejkalimin e pengesave, duke vënë mbi gjithçka interesin më të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Si gjithnjë në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen, unë dhe Partia Demokratike do të qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të Kosovës dhe të qeverisë së saj me besimin e plotë se pas 25 prillit, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtësisht për të përballuar së bashku çdo sfidë,” reagoi Basha.
Ditën e sotme, kuvendi i Kosovës votoi pro qeverisë së Albin Kurtit me 67 vota në fafor dhe 30 vota kundër. Në këtë mënyrë, Kurtit iu dha drita jeshile për të qenë kryeministër i Kosovës.
(E.H/Faxweb.al)