Kreu i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Kreshnik Çollaku ka folur në ‘Fax News’ rreth problemit të banorëve të “Unazës së Re” të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre.
Çollaku deklaroi se situata është dramatike pasi 361 familje, por që mund të jenë edhe më shumë, preken nga ky problem. Ai deklaroi se opozita është në mbështetje të tyre, duke shtuar se banorët mendojnë se po trajtohen nga qeveria dhe Bashkia Tiranë si “mbetje që po prishin punë”.
Ai theksoi se qeveria ka 5 ditë kohë për t’u tërhequr pasi ndryshe “situata ka për të qenë dramatike”.
“Siç e keni parë dhe është publike, gjendja është dramatike e atyre banorëve, fëmijë të traumatizuar, madje nuk e di a ka shoqata këtu që janë marrin fonde nga BE, si mund të pranojnë një gjendje dramatike të atyre fëmijëve që nuk reagojnë.
Llogaritet që banesat e 361 familjeve, rrezikojnë tu shkatërrohet banesat e tyre por mund të jenë edhe më shumë se jemi na fazën e parë të projektit. Ata njerëz nuk kundërshtojnë zhvillimin e qytetit por të dëmshpërblehen, nga 361 familje gjysma kanë banesa të legalizuara, gjysma e e atyre, 120 familje janë futur në proces legalizimi të ftuar nga qeveria shqiptare.
Ata janë në rregull me shtetin, tani çfarë ndodh, këto 120 familje, me një vendim të kryeministrit pezullohen nga procesi i legalizimit, një abuzim i qartë. Sidomos këta që kanë filluar duhet që procesi të mbyllet dhe më pas të dëmshpërblehen, ata janë të qartë dhe korrekt, nuk kërkojnë asgjë që dëmton qytetin, nga çfarë duket, nuk ka një minimum kujdesi njerëzor, banorët trajtohen si mbetje njerëzore. Në këmbim u është ofruar një bonus për qera 50-60 mijë lek në muaj, qesharake. Jemi në këtë situatë tensioni të madh të njerëzve, në fazën e parë janë 361 familje që preken, pasi mendohet të ketë një fazë tjetër që mund të jenë po kaq”, tha ai.
I pyetur se si duhet të zgjidhet kjo situatë dhe se çfarë kërkonte opozita, Çollaku theksoi se banorët nuk po kërkojnë asgjë që nuk është e ligjshme dhe opozita do të jetë në mbështetje të tyre.
“E para të mos trajtohen si mbetje, të dëmshpërblehen sipas ligjit dhe më pas të ndërtohet projekti, cfarë po kërkojmë është që qeveria të zbatojë ligjet. Janë në procers legalizimi ata njerëz, deri sa i ke futur në proces legalizimi atëherë duket të dëmshpërblehen, ne si opozitë mbështesim kërkesat shumë të arsyeshme të tyre. Nuk mund t’i grabisësh pronën tjetrit”, theksoi ai.
I pyetur se çfarë mund të bënte Këshilli Bashkiak në lidhje me këtë situatë, Kreshnik Çollaku u shpreh nuk ka ardhur asnjë informacion për këtë çështje, por shtoi se tashmë ky institucion e ka humbur funksionin si parlament i qytetit që kur Rama i mori kompetencat me miratimin e ligjit ‘Fusha’ për Teatrin Kombëtar.
“Me ligjin ‘Fusha’ Parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare ka marrë një kompetencë që nuk është e saj, ka marrë të drejtën të vendosë mbi një territor truall publik të Bashkisë Tiranë, kompetencë ekskluzive e Këshillit Bashkiak. Praktikishte ligji ‘Fusha’ ka bërë nul Këshillin Bashkiak”, u shpreh ai..
Ndërkohë që banorët kanë edhe 6 ditë kohë për të lënë shtëpitë e tyre, sipas afatit të vendosur, Kreshnik Çollaku deklaroi se duhet të reflektohet pasi situata është tejet dramatike dhe banorëve që u prishen shtëpitë dhe nxirren në rugë kanë të drejtë të vetëmbrohen.
Madje ai bëri edhe një krahasim, duke iu referuar shembullit si veproi Hitleri me hebrenjtë, për Çollakun, motivet e atyre që po nxjerrin nga shtëpitë këta banorë janë të përafërta.
“Jo pse jemi opozitë por pse jemi qytetar do të jemi në mbështetje të tyre deri në pikën e fundit. Është një çështje qytetarie. Mbase është e rëndë por, Adolf Hitleri kur vendosi të fshijë hebrenjtë nga Gjermania nuk është se gjeti ndonjë motiv shumë ndryshe nga këta, “Këta hebrenjtë nuk më lënë që të zhvilloj Gjermaninë që unë dua”, tha, pra e gjeti një motiv edhe ai kur bëri kampet e përqëndrimit, janë shumë afër motivet edhe për banorët e Unazës së Re, “keni zënë rrugën, qytetin, qërohuni andej” praktikisht kjo po ndodh, po u shkatërrojnë pronën, po u shkatërrojnë jetën. Banorët janë të dëshpëruar dhe reagimi i tyre nuk e di kur ndalet, cfarë pash atje është luftë për ekzistencë, dhe patjetër që PD do ti mbështesë, nëse qeveria nuk do të tërhiqet situatë ka për të qenë dramtike, rrëzimi i banesave është ti marrë jetën tjetërit, kërkesat e banorëve janë të drejta. Edhe në rast se do kishte shtëpi të palegalizuara ka një dimension social, s’mund të lësh fëmijët poshtë urave, lërë që janë gjysma në legalizim”, deklaroi Çollaku
“Ku jemi në çfarë republike, në stepa apo në xhungël, drama është shumë e madhe se bëhet fjalë për mijërë njerëz, në këtë situatë u ind e drejta këtyre njerëzve të vetëmbrohen dhe e shoh situatën shumë dramatike”, shtoi ai. (B.H/Faxweb)
Intervista e plotë: