Është prezantuar sot në sallën COD në kryeministri shpallja e garës për projektin e tunelit të Llogarasë, që sipas ministres Belinda Balluku do të sjellë një zhvillim për të gjithë zonën e Jugut të vendit, dhe do të trefishonte numrin e turistëve.
“Jemi këtu sot për shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të Tunelit të Llogarasë, një vepër strategjike për turizmin në rivierën e Jonit. Me tunelin e Llogarasë, aksi Orikum – Palasë do të përshkohet në vetëm për 10 minuta, nga 55 minuta që iu duhet aktualisht drejtuesve të mjeteve.
‘Pa u mbyllur ky vit ne do të lançojmë garën për këtë projekt, brenda pranverës së vitit të ardhshëm ne parashikojmë që të ketë nisur puna në kantier. Presim që të ketë një trefishim të numrit të udhëtarëve që do të zgjedhin që të kalojnë në këtë zonë, për shkak se shumë turistë sot vendosin që të mos kalojnë llogaranë për shkak të vështirësive të rrugës”, u shpreh Balluku në fjalën e saj.
Ndërkohë sipas saj paratë për të bërë investimin në këtë tunel do të gjenden në buxhetin e shtetit, dhe nëse ecet sipas parashikimeve, puna në kantier do të nisë në pranverën e ardhshme, fiks para fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. (E.K/Faxweb.al)