Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Pukë. Një shtëpi është djegur duke i marrë jetën çiftit të bashkëshortëve Petrit dhe Dava Ndoj përkatësisht 40 dhe 35 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Va Shënkoll të fshatit Breg, rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të hëne. Ndërkohë, flakëve kanë mundur t’ju mbijetojnë fëmijët e çiftit të cilët kanë mbetur të lënduar, si dhe dy gjyshërit e familjes.
Katër fëmijët janë hedhur nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar, ndërsa më i madhi prej tyre, i moshës 12 vjeç, ka mundur të nxjerr nga shtëpia edhe gjyshen e paralizuar.
Sipas burimeve, bashkëshortët Petrit dhe Dava Ndoj kanë qenë duke fjetur gjumë në katin e dytë të banesës kur ka rënë zjarri.
Alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë, Pal Ndue Gjoni i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. 82 vjeçari me bashkëshorten e paralizuar që po flinin po ashtu në katin e dytë të banesës, kanë arritur të dalin pa dëmtime.
Trupat e pajetë të Petrit dhe Dava Ndoit u gjetën pranë njëri tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Fushë Arrëzit, të cilët janë përpjekur për rreth 2 orë të shuajnë flakët.
Ndërkohë në banesën e familjes ka qenë në orët e para të mëngjesit dhe Kryetari i bashkisë së Pukës Gjon Frroku.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Me datë 08.04.2019, rreth orës 03.45 në Pukë, në banesën e shtetasit P. N ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën shtetasit P. N. 46 vjeç dhe bashkëshortja D. N. 35 vjeçe, ndërsa 4 fëmijët e tyre të moshës 15 , 13 , 12 e 11 vjeç ndodhen në Spitalin e Pukës me dëmtime të lehta.
Nga informacionet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike.
Grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e rrethanave si dhe për përcaktimin e shkakut të zjarrit
/Faxweb.al