Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se PD-ja duhet të ftojë të gjitha forcat opozitare të vendosura për të larguar Edi Ramën.
I pyetur nga Abc News nëse kryetari i PD-së Lulzim Basha duhet t’i bëje ftesë edhe të pakënaqurve si Astrit Patozi apo Jozefina Topalli, ish-kryeministri i vendit u shpreh se sigurisht që po.
Pjesë nga biseda:
A i duhen realisht PD-së aleancat, a mund të mos e fitojë pushtetin pa të vegjlit?
Siç kanë dëshmuar, po bëhen jo një po disa ‘polle’, aleanca opozitare është fituese me 7-11 pikë, ndaj PS-së. Kjo aleancë, i duhet sot cdo demokrati, cdo anëtari të partive opozitare, cdo qytetari. Unë mendoj se largimi me urgjencë i Edi Ramës, i cili vetëm këto tre muajt e fundit ka konsumuar një vepër të tradhtisë së lartë ndërkombëtare për detin me Greqinë.
Kur i duhet cdo votë opozitës, pse nuk po bashkohet me Topallin dhe Patozin?
PD-ja në dijeni time është e hapur ndaj të gjitha forcave politike të cilat kanë për objektiv madhor largimin e narkoshtetit nga pushteti, por sic i dëgjoni edhe ju, problemi i tyre është, ata i kanë shpallur luftë frontale të gjithë spektrit politik shqiptar. Në këto rrethana, me këtë qëndrim përjashtojnë aleancat.
A do të ishte mirë të kishte një ftesë nga PD për Topallin dhe Patozin?
PD duhet të ftojë të gjitha forcat që janë të vendosura.
Edhe Topallin dhe Patozin?
Pa përjashtim ata që janë të vendosura të largojnë nga pushteti Edi Ramën.
Dy ish-figurat tepër të rëndësishme të Partisë Demokratike në kohën e drejtimit të Sali Berishës u larguan nga PD-ja pasi në krye u vu Lulzim Basha. Ata kanë qenë mjaft kritik me Bashën, ndërkohë kanë krijuar dhe partitë e tyre (Patozi ka krijuar Partinë Bindja Demokratike dhe Jozefina Topalli Partinë Lëvizja për Ndryshim).