Pala greke duket se nuk ka rënë dakord me ministren Olta Xhacka dhe ka mbyllur pikën kufitare në orën 22:00 duke i lënë qytetarët të kalojnë një tjetër natë në makinë. Pasditen e sotme, ministrja e Mbrojtjes tha se kishin biseduar për të shtyrë punën përtej orarit zyrtar, por mesa duket Greqia do vazhdojë me të njëjtat rregulla. Ndërkohë nesër do të rifillojë sërish puna në orën 06:00.
Ditën e sotme, Xhçka mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës ku zhvilloi bisedime me palën greke për situatën kaotike të shkaktuar nga tamponi i Covidit, duke thënë se po punonin që të binin dakord për shtyrjen e orarit të punës përtej orës 10 të darkës, ndërkohë që theksoi se nuk e ka një përgjigje se kur mund të shkurtohet radha.
“Deri në masën 330 tampone për orë, por me perspektivën për ti shtuar këto kapacitete. Kanë marrë përsipër mbështetje me epidemiologë për më shumë testime në orë që do të bëjnë të mundur që të shkurtohet radha. Jemi në bisedime intensive që orari i punës në pikën kufitare të zgjatet për 10 të darkës që kjo punë të vazhdohet edhe gjatë natës.
Nuk ju jap dot përgjigjen se kur do të shkurtohet radha, por ju them që jemi duke marrë të gjitha masat që me autoritetet greke të bëjmë maksimumin që rregullat që ata kanë vendosur, jo ti zhbëjmë por të bëjmë cështë e mundur të shtojmë kapacitetet dhe kjo radhë të shkurtohet një orë e më parë.
Ajo që kemi ne në dorë përvec bisedimeve me ta është që të trajtojmë me të gjitha nevojat bazike të gjitha familjet që janë të mbërthyera. Duhet thënë që është situatë që nuk është shkaktuar vetëm në Shqipërinë. Për fat të keq janë edhe vende brenda BE. Ju kujtoj që vetëm pak orë, edhe Anglia vendosi një regjim të tillë për vendet e BE”, u shpreh Xhaçka.(A.M/Faxweb.al)