Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e djeshme në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar për mediat në Kosovë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 21:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në afërsi të rrugës ”Haxhi Zeka” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karaketrizojnë rastin”, ka thënë Ahmeti.
Më tej ajo ka treguar se nga të shtënat nuk ka pasur persona te lënduar.
“Aktualisht po vijon puna policore për identifikimin e të dyshuarve si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre”, tha ajo.
Telegrafi mëson se një veturë e parkuar dyshohet se është gjuajtur pesë herë më armë zjarri. Po ashtu në vendin e ngjarjes policia ka gjetur edhe gëzhoja fishekësh, ndërkohë që nuk dihet ende identiteti i pronarit të mjetit, dhe as nëse ai ka pasur precedentë të mëparshëm.