Një grup të rinjsh janë përleshur me policinë mbrëmjen e të hënës në Tiranë, duke krijuar një skenë të pazakontë në qendër të kryeqytetit.
Për shkak të aktit normativ të pandemisë, policia ka shtuar patrullimet me qëllim kontrollimin e qytetarëve për mbajtjen e maskave.
Pikërisht gjatë kontrolleve që patrullat e policisë po kryenin në hyrje të rrugës “Mine Peza” në Tiranë ka ndodhur edhe incidenti i grupit të të rinjve me forcat e rendit.
Përleshja ka ndodhur pasi efektivët e policisë i kanë kërkuar të ndalojnë 2 të rinjve, për të kontrolluar dokumentacionin dhe për të bërë testin e alkoolit.
Burimet zyrtare thanë se shtetasi me iniciale Henri. T ka kundërshtuar deri në përplasje fizike me forcat e rendit.
Në përleshje është dashur ndërhyrja e 5 punonjësve të policisë për të neutralizuar të riun.
Burime nga policia bëjnë me dije se tashmë i riu është proceduar në gjendje të lirë nga efektivët e komisariatit nr.3, me akuzën për kundërshtim të punonjësit të policisë.