Rudina Hajdari ka dalë e revoltuar nga mbledhja e Këshillit Politik duke i kërkuar PS që të reflektojë për hapjen e listave, në mënyrë që të kthehet sërish në tryezë. Në fjalën e saj para mediave, Hajdari u shpreh se drafti për propozimin e zgjedhjeve që nxori në tavolinë Partia Socialiste është një truk për të mbajtur listat e mbyllura.
Me ton të ashpër, Hajdari u shreh se ka ardhur koha që ti vijë fundi kryetarëve që vënë kandidatë që i mbajnë pranë si pëllumba apo dele dhe i trajtojnë si kartona në parlament.
“Kërkon të mos hapë listat. I bëj thirrje PS se po bën një hap mbrapa. Nuk është kjo lista e hapur, nuk është kjo që duan shqiptarët dot sepse duan të rendisin kandidatët siç duan. Ajo që kërkohet sot është një truk për të mbajtur listat e mbyllura.
Do të kthehem duke i kërkuar PS që të reflektojë. Ju kërkoj ndjesë por kjo është gjë që duhet ta çojmë deri në fund dhe do luftoj deri në fund që listat të jenë të hapura. Boll më me kryetarë që vënë kandidatë që i mbajnë pranë si pëllumba, si dele dhe i trajtojnë si kartona në parlament. Pra nuk ndryshon absolutisht asgjë dhe PS të reflektojë për këtë vendim të fëlliqur.
Ajo që është e rëndësishme është që ne të kërkojmë betejën për listat e hapura. Kam ardhur të shikoj propozimin e PS dhe të shoh çfarë po bëhet me listat e hapura. Jam njohur me draftin sot dhe ai cënon listat e hapura”, tha Hajdari.
Pak më parë, opozita e bashkuar zgjodhi të bojkonte mbledhjen pasi binte në kundërshtim me draftin e propozuar nga PS. Menjëherë pas dorëzimit të amendamenteve të Partisë Socialiste për Kodin Zgjedhor, opozita bëri lëvizjen e saj duke dorëzuar në Këshillin Politik kërkesën për ekspertizë të OSBE- ODHIR.
Kjo kërkesë erdhi menjëherë pas gatishmërisë që institucionet ndërkombëtare treguan për të dhënë asistencën e tyre në arritjen e marrëveshjes mes palëve, kryesisht për listat e hapura si dhe koalicionet parazgjedhore.
Pak më parë, Fax News siguroi propozimet e socialistëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë mes të tjerave hapjen e listave në 100%. Ndërkohë që pragu minimal për hyrjen në Kuvend të partive pritet që të jetë 3%. Socialistët parashikojnë që koalicionet të lejohen si subjekte të përbashkëta zgjedhore, gjë e cila duket se has në kundërshtinë e opozitës jashtë parlamentit.(A.M/Faxweb.al)