Kryeministri Edi Rama në daljen e tij të sotme me gazetarët, ka zgjedhur që të komentojë disa drejtime të qeverisjes, mes tyre dhe ndryshime të pritshme në policinë e shtetit.
Rama u shpreh se nuk mund të ketë punonjës policie mbi moshën 55-vjeçare, po nëse ata largohen nga puna, do të mbahen me një shpërblim financiar të konsiderueshëm.
“Nuk mund të ketë punonjës policie më shumë se 55 vjeç, po rrugëdalja duhet të jetë e një shpërbim financiar”, u shpreh Rama, pa saktësuar se kur mund të hyjë në fuqi ku ndryshim.
Ndërkohë që kryeministri u shpreh se prej kohësh është duke u përgatitur një Forcë Speciale, e cila do të merret posaçërisht me të fortët e rrugëve, ku këta të fundit do ta kenë pothuajse të pamundur që të lëvizin lirshëm nëpër Shqipëri.
“Është bërë gati një forcë speciale që do të merret me të fortët e rrugëve, të lagjeve dhe të qyteteve, që do të jetë pjesë e presionit të policisë së shtetit kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin që të rrinë në Shqipëri, të përgatiten që të fshihen në vrima shumë shumë të ngushta, ndryshe nuk do të kenë mundësi që të marrin frymë”, tha më tej Rama.
Çfarë tha Rama për rritjen ekonomike:
Unë jam i bindur që ju do të më pyesni për politikën, po për atë do ua lë juve. Unë dua që të flas për aspektet e qeverisjes, duke filluar që nga ekonomia, e cila edhe pse në një situatë të pafavorshme, aspak nxitëse për inverstitorët u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21%, ndërkohë që efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm, duke qenë se vitin e kaluar patëm një vit me shumë rreshje, duke nënkuptuar që ishte një mundësi e shtuar për rritjen ekonomike.
Përtej këtij fakti mbetet prioritare që të fokusohemi te investimet publike dhe private, vendase dhe të huaja, te të ardhurat që kanë pasur një periudhë problematike për pasojë të frymës së antishtetit që u injkektua në mënyrë të vazhdueshme dhe në forma shumë agresive që ka ndikuar dhe në rritjen e informalitetit, punësimi ka shënuar një përparim, që vjen me një ulje të re nga gjashtëmujori i parë i vitit të shkuar, është rritur me 1.4 % nga viti i kaluar.
Zyrat e punës kanë realizuar 16 mijë punësime, po në të njëjtën kohë informaliteti në punë ka shënuar rritje, gjë e cila është integruar në operacionin antiinformalitet që do të vijojë çdo ditë deri në fund të mandatit. Financat publike janë të qendrueshme dhe Borxhi Publik është ulur në krahasim me një vit më parë. Tregtia me jashtë është rritur me 12%, dhe për herë të parë kemi një ngushtim të bilancit import eksport, nën diferencën e 3%. Jemi në hapat e parë të një lufte të pa kompromis për të shtrënguar masat në lidhje me sigurinë ushqimore.
(E.K/Faxweb.al)