Pas lajmit të shpërndarë nga Rechard Grenell se Serbia dhe Kosova do të takohen në 2 Shtator në Shtëpinë e Bardhë, kanë ardhur dhe reagimet e para nga ana e politikës në Kosovë.
I pari që ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim ka qenë kryeministri Avdullah Hoti , i cili shkruan në një postim: “SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”.
Pas tij ka reaguar dhe presidenti Hashim Thaçi, i cili po ashtu shpreh vlerësimin më të lartë për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës, dhe stabilitetit të të gjithë rajonit.
”Unë mirëpres takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës ndaj SHBA-së për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan Thaçi, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse ai vetë do të jetë pjesë e këtij takimi.
Në takimin që ishte parashikuar të mbahej në Qershor, ishte Thaçi ai që do të përfaqësonte Kosovën, si niveli më i lartë i përfaqësimit shtetëror, por nuk dihet ende nëse kjo do të vlejë për takimin e Shtatorit, pas marrjes së tij në pyetje në Hagë.
(E.K/Faxweb.al)