Milani do të luajë mbrëmjen e nesërme ndaj Juventusit një përballje mjaft të vështirë në transfertë. Në kuadër të takimit, trajneri Stefano Pioli ka folur për mediat, ku ka diskutuar mbi disa çështje.
KTHESA – “Pika e kthesës është gjithmonë e vështirë. Na duhet të marrim sa më shumë pikë. Një ndeshje e mirë ndaj Juventusit do të tregonte shumë për ne. Duhet të jemi të gatshëm të luftojmë dhe mos të heqim dorë asnjëherë.”
PËRBALLJA ME JUVENTUSIN – “Kam besim te lojtarët e mi. Ata e shohin situatën dhe e dinë që ndeshjet nisin 0-0. Luajmë kundër ekipit më të fortë në Itali dhe një nga më të fortët në Europë. Sfidë e madhe dhe mundësi e madhe, duhet të luajmë me kokën lart.
EKIPI – “Jemi ekip i ri, por jo i papjekur dhe pa përvojë. Brenda ekipit ka goxha lojtarë me eksperiencë. Suso apo Romagnoli. Donnarumma është vetëm 20 vjeç, por është i pjekur si lojtar. Duhet të marrim rezultate, pasi të japin energji dhe forcë që të jesh i vetëdijshëm për cilësitë që ke.”
“RECETA” E PIOLIT – “Sfidë e madhe dhe një mundësi e shkëlqyer. Ky duhet të jetë qëndrimi ynë. Vështirësitë do të jenë të mëdha. Duhet të jemi të përqendruar dhe të vëmendshëm për 95 minuta.
TIFOZËT – “Dua që të vazhdojnë të na mbështesin ashtu siç kanë bërë deri tani. Kundër Lazios ata kanë qenë me ne deri në fund dhe po përpiqen të na ndihmojnë në këtë moment të vështirë. Nëse ka diçka pa faj në këtë Milan, janë padyshim tifozët.”
LEAO – “Fola me Leaon dhe i thashë se çfarë nuk bëri mirë me Lazion. Ishte dhe vetë i vetëdijshëm që nuk hyri me frymën e duhur. Shpresoj që të ketë nxjerrë mësim nga ajo ndeshje dhe paraqitjet e tij në vazhdim të jenë më të mira.”
CRISTIANO RONALDO – “Është e vështirë, ka shumë mundësi që ai lojtar të të bëj keq. Po flasim për një fenomen, një kampion. Kundër tij duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Është një kampion i madh, ndër më të mëdhenjtë e historisë.”