Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbajtur një fjalim në organizimin në kuadër të projektit “EU4LEA” që sipas tij shënon fillimin e veprimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Çuçi tha se do të konsolidohej partneriteti me BE-në ndërsa shtoi se ky projekt lidhej me kapitullin 24, pa çeljen e të cilit, nuk mund të kishte përparim në procesin e anëtarësimit drejt Bashkimit Europian.
“Duke parë gjithë këtë interesim për fillimin e një projekti të ri të BE në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, në fakt është një gjë e re dhe një bashkëpunim që pritet të fillojë tani. Por nuk është kështu, ndoshta kjo tregon anën tjetër që kjo e sotmja është vetëm etapa e rradhës e bashkëpunimit të gjatë të frytshëm që Shqipëria ka patur me BE-në në fushën e drejtësisë. Falë këtij bashkëpunimi ne sot kemi agjenci ligjzbatuese të cilat denjësisht bashkëpunojnë me vendet anëtare të BE si partnerë të barabartë. Gjë kjo e cila vetëm disa vite më parë as nuk mendohej të realizohej. Kemi kaluar nga thjesht shkëmbimi i informacioneve të agjencive të përbashkëta, në fazën e hetimeve të prërbashkëta. Më tej vitet e fundit me operacione të përbashkëta me agjencitë e tilla. Ky është një hap që mbi të gjitha bazohet në mirëbesimin e krijuar mes agjencive tona ligjzbatuese.
Sot është thjesht një kosolidim i këtij partneriteti. Nga ana tjetër projekti i ri me BE-në “EU4LEA”, besoj se tregon se ne lëvizim tashmë në një ligë tjetër dhe kjo ligë është vetëm fillimi i aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Do na shoqërojë ne në një proces shumë të rëndësishëm të ndërlikuar siç është procesi i negociatave me BE-në. Këtu kapitulli 24 është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate. Dua ta theksoj këtu se pa u mbyllur dhe pa ecur ky kapitull, nuk mund të çelen kapitujt e tjerë. Ky kapitull merr një kuptim shumë të veçantë në rrugëtimin e vendit drejt BE-së”-tha Çuçi.
Projekti “EU4LEA” është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian në fushën e drejtësisë në Shqipëri.