Zyrtarët ukrainas njoftuan të hënën se Rusia kreu sulme të tjera ajrore ndaj Kievit, pas goditjeve intensive për dy netë me radhë mbi kryeqytein ukrainas.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha në një postim në rrjetin Telegram se ka patur shpërthime në pjesën qendrore të qytetit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të qëndronin në vend strehime.
Zoti Klitscko tha se kryeqyteti kishte përjetuar nje tjetër natë të vështirë.
Serhiy Popko, kreu i njësisë administrative ushtarake të Kievit tha se trupat ruse goditën Kievin me raketa dhe dronë Shahed, duke shtuar se ky ishte rasti i 15 këtë muaj që objektiv i sulmeve ishte kryeqyteti ukrainas.
Sulmet e vazhdueshme ajrore po kryhen përpara një kundërofensive të pritshme të forcave ukraniase që Kievi thotë ka për qëllim rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Rusia që nga fillimi i luftës vitin e kaluar.
Forcat ajrore ukrainase thanë se në total, rrëzuan 29 nga 35 dronët dhe 37 nga 40 rakeatat që Rusia lëshoi gjatë natës.
Sanksionet ndaj Iranit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të dielën një projekt-ligj për vendosjen e sanksioneve të tjera për një periudhë 50 vjeçare ndaj Iranit.
Shefi i kabinetit të zotit Zenelskyy, Andriy Yermak tha se propozimi për sanksione të reja vjen si reagim ndaj asaj që Kievi e cilëson mbështetje me armatime nga Teherani për Moskën.
Sanksionet e reja përfshijnë ndalimin e plotë të tregtisë me Iranin, ndalim të investimeve dhe shitjen e prodhimeve teknologjike për Iranin.
Nëse projekt-ligji miratohet, qytetarëve iranianë do t’u ndalohej kalimi përmes territorit ukrainas dhe Iranit nuk do t’i lejohej përdorimi i hapësirës ajore ukrainase. Projekt-ligji gjithashtu parashikon ngrirjen e pasurive të Iranit në Ukrainë.
Kievi dhe aleatët e tij thonë se Irani ka furnizuar me armë Rusinë, përfshirë furnizimin me dronë, që kur Moska filloi sulmin ndaj Ukrainës vitin e kaluar. Teherani i ka mohuar këto akuza./VOA