Specat djegës të kuq janë “çelësi” për të parandaluar goditjet në tru apo sulmet në zemër. Sipas një studimi italian, kush konsumon speca të kuq, e ka më të ulët riskun për të vdekur nga problemet me zemrën apo goditjet në tru.
Studimi është kryer nga Departamenti i Epidemiologjisë dhe Parandalimit të IRÇS në bashkëpunim me Departamentin e Onkologjisë dhe Mjekësisë Molekulare të Institutit të Lartë të Shëndetit në Romë, Universitetit Insubria në Varese dhe Qendrës Mesdhetare të Kardiologjisë në Napoli.
Pjesë e studimit ishin 22.811 qytetarë të provincës Molise në Itali, nga ku rezultoi se ata që hanin speca të kuq djegës, prekeshin më rrallë nga sulmet në zemër.
Më konkretisht, rreziku i vdekjes nga goditjet në zemër për ata që konsumonin sistematikisht speca djegës u zvogëlua me 40%, ndërsa rreziku i vdekjes nga sëmundjet cerebrovaskulare siç është goditja në tru u ul me më shumë se 50%. Pra mesa duket, për një zemër dhe tru të fortë, speci djegës është zgjidhja.
(M. I./ Faxweb.al)