Deputeti socialist, Alqi Bllako ka njoftuar se do të heqë dorë nga mandati i tij si ligjvënës në kuvendin shqiptar pas kërkesës së SPAK për arrestimin e tij lidhur me aferën e inceneratorëve.
Bllako shkruan se ishte i tronditur nga kërkesa që SPAK kishte bërë dhe njoftoi gjithashtu se të nesërmen do të paraqiste dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit.
Vlen të theksohet se lëvizja e Bllakos vjen në një situatë kur ishte planifikuar që të nesërmen të mblidhej Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e mandiatit të deputetit Alqi Bllako.
Reagimi i plotë i deputetit të PS, Alqi Bllako:
Të nderuar miq!
Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.
Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!
Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!
Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!
Në kërkesën që SPAK ka drejtuar ndaj Kuvendit, bëhet me dije se Alqi Bllako i cili asokohe mbante postin e sekretarit të përgjithshëm në ministrinë e Mjedisit, kishte firmosur 2 herë për ndryshimin e kontratës. Në shkresë, babai i Alqi Bllakos përcaktohet si një prej personave që kishte përfituar mijëra euro brenda një muaji. Ndërsa në total, shifra e dëmit ekonomik që Bllako i kishte shkaktuar buxhetit të shtetit, e kalonte shifrën e 149 milionë lekëve të vjetra.
Lëshohet urdhër-arresti për Alqi Bllakon, SPAK i kërkon Kuvendit t’i heqë imunitetin