Qyteti i Durrësit nuk gjen qetësi. 3 ditë pas atentatit mafioz ku mbeti i vrarë “Mond Çekiçi” një tjetër ngjarje është regjistruar mbrëmjen e sotme.
Rreth orës 19:20, në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar, pas një konflikti të çastit, mbeti i plagosur në dorë me armë zjarri shtetasi Arbër Tivari, 25 vjeç.
Autori, i identifikuar si Alket Buçpapaj, pas plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende vijon intensivisht puna për kapjen e tij. Të dy personat e përfshirë në konflikt janë jo pak të njohur për blutë e qytetit, pasi ata njihen në zonë si shpërndarës droge.
Sipas burimeve të gazetares së ‘FaxNews’, Kloida Gjuzi bëhet me dije se Arbër Tivari, rezulton të jetë një person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë, pasi ka qenë i arrestuar për një sërë veprash penale si armëmbajtja pa leje, shpërndarja e lëndëve narkotike në doza të vogla, kanosje etj.
Sa i takon autorit, rezulton të ketë qenë i dënuar më parë me 2 vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe në 20 janar të vitit të shkuar është lënë i lirë.
Konflikti, sipas dëshmitarëve, ka nisur pasi Tivari ka përplasur lehtë automjetin veturë të autorit, Buçpepës. Pas kësaj të dy kanë debatuar verbalisht me njëri-tjetrin dhe Buçpepaj ka kërkuar që Tivari t’i jepte paratë për dëmet e shkaktuara.
Ky i fundit ka refuzuar dhe në moment Buçpapaj është larguar, ka marrë armën dhe është kthyer sërish për ta plagosur në dorë Tivarin në hyrje të pallatit ku ai banonte.
Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, ndërsa Tivari është dërguar në spital, ku po merr mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, shkaku i konfliktit ka qenë prishja e pazareve të drogës. Policia ka shoqëruar familjarë dhe rrethin shoqëror të autorit për të bërë të mundur edhe kapjen e tij.
(R.G/Faxweb.al)