Në mbledhjen e Komisionit Rregullator ditën e sotme u vendos ulja e fashës orare të publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit.
Me unanimitet, 5-0, u vendos që KZAZ-të të nxjerrin rezultatin e zgjedhjeve jo më vonë se ora 08:00 e mëngjesit të 26 Prillit.
Një vendim i lehtë për tu miratuar në letër dhe tepër i vështirë në realizimin e tij, mbetet të presim mëngjesin e datës 26 Prill për të parë nëse do të kemi në kohë fituesin e betejës së 25 Prillit.
Ky propozim erdhi fillimisht nga anëtari Arnes Çela, por edhe për kryetaren, Ilirjana Nano, kjo fashë orare do i vinte në ndihmë KZAZ-ve që të menaxhojnë më mirë punën e tyre.
“Pas dorëzimit nga KQV pranë KZAZ të pajisjeve dhe materialeve përkatëse, KZAZ mbyll ambientet ku do të kryhet numërimi. Rezultati do të shpallet të nesërmen e ditës së votimit, pra në orën 08:00. Gjatë natës ambienti vëzhgohet nga kamerat të cilët sigurojnë regjistrimin dhe transmetimin e pamjeve gjatë gjithë kohës në serverin e KQZ-së. KQZ-ja u mundëson subjekteve zgjedhore me kërkesë të tyre të shikojnë nga pajisjet e tyre pamjet e ambientit ku ruhen materialet zgjedhore”, thuhet në propozimin e ri që u miratua ditën e sotme.
Në zgjedhjet e kaluara, KZAZ ka pasur afat deri në orën 00:00 të ditës së nesërme të votimit për të nxjerrë rezultatet, teksa me vendimin ri është bërë 08:00.