“The Economist”
Çfarë ndryshimesh mund të sjellë një grindje familjare! Vetëm disa javë më parë, lira turke po zhvlerësohej ne një nivel rekord, ndërsa Banka Qendrore po rrinte duarkryq, të huajt po shisnin aksionet e tyre në kompanitë turke, ndërsa Ministri turk i Financave, Berat Albajrak, po argumentonte se kurset e këmbimit nuk kishin shumë rëndësi.
Sot monedha turke po ri-forcohet ndjeshëm, tregu i aksioneve po rritet, dhe zyrtarët po flasin për nevojën e reformimit të gjykatave dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Për më shumë se 2 vjet, presidenti autokrat i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ishte mbështetur tek dhëndri i tij Albajrak për të drejtuar ekonominë e vendit.
Ky i fundit gati e çoi atë në humnerë. Ndërsa bankat jepnin kredi me norma nën atë të inflacionin për të ringjallur rritjen ekonomike, lira turke u zhvlerësua me mbi 40 për qind ndaj dollarit, duke shkaktuar humbjen e kursimeve te jetës për miliona turq. Në një përpjekje për ta shpëtuar monedhën kombëtare, Banka Qendrore dhe ato shtetërore, harxhuan të paktën 100 miliardë dollarë nga rezervat e çmuara në valutë të huaj. Më në fund Erdogan mori në dorë frenat e situatës. Më 7 nëntor, ai shkarkoi guvernatorin e Bankës Qendrore, duke e zëvendësuar atë me një nga rivalët e Albajrak.
Një ditë më vonë, Albajrak i indinjuar, i shpallur dikur si pasardhësi i ardhshëm i vjehrrit të tij në krye të vendit, dha dorëheqjen. Që atëherë lira ka pasur performancën e saj më të mirë javore (një rritje prej 10 për qind) në 2 dekadat e fundit. Ndryshimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Guvernatori i ri i Bankës Qendrore, Naxhi Agbal dhe Ministri i ri i Financave, Lutfi Elvan, po bëjnë të gjitha lëvizjet e duhura për të stabilizuar monedhën vendase, dhe e ulur inflacionin në një normë 1-shifrore. Ministri i Drejtësisë, që ka drejtuar nga viti 2017 një goditje gjithëpërfshirëse ndaj kundërshtarëve të qeverisë, ka “zbuluar” një pasion për sundimin e ligjit, duke u kërkuar gjyqtarët të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe të ndihmojnë në përmirësimin e klimës për investitorët e huaj.
Dhe kjo e fundit është shumë e nevojshme. Për shkak të pandemisë, ekonomia turke u tkurr me gati 10 për qind në tremujorin e dytë të këtij vitit. Erdogan, një armik i betuar i normave të larta të interesit, thotë tani se Turqisë mund t’i duhet të gëlltisë “një pilulë të hidhur”, që do të thotë të nisë të shtërngojë paksa rripin.
Më 19 nëntor, Banka Qendrore vendosi një rritje spektakolare të normës të interesit. Presidenti u detyrua t‘i dorëzohej presionit të tregut dhe ta shkarkonte Albajrak. “Do të kishte një zhvlerësim dramatik të monedhës, nëse do të vazhdohej në atë kurs”- thotë Pol Meknamara i “Gam Investments”.
Një tjetër skenar do të kishte qenë kërkimi i ndihmës nga FMN, diçka që Erdogan e kishte përjashtuar më herët. Gjithashtu, presidentit mund të paguante një kosto politike. Një grup prej 30-40 deputetë të AKP-së, thuhet se kërcënuan të kalonin në opozitë nëse Albajrak nuk jepte dorëheqjen. Ndryshimi i stafit ekonomik nga Erdogan, i ka dhënë atij një lloj frymëmarrjeje, thotë Ugur Gurses, një ekonomist turk. Dhe kjo mund të ndihmojë udhëheqësin turk që të përballojë edhe humbjen e një miku të mirë në Uashington.
Për 4 vitet e fundit, Erdogan mund të mbështetej tek Donald Trumpi për shumëçka. Turqia i dëboi trupat amerikane nga Siria Verilindore, u përlesh me aleatët evropianë në Mesdhe, vendosi mercenarë sirianë në Libi dhe Azerbajxhan, dhe arrestoi mijëra njerëz në vend nën akuzën e terrorizimit.
Trump e mbrojti Turqinë nga vendosja e sanksioneve kundër saj nga SHBA, pas blerjes ng Ankaraja të sistemi rus S-400 të mbrojtjes ajrore. Nën Xho Bajden, që në fillim të këtij viti e cilësonte Erdoganin një “autokrat, që duhet të paguajë një kosto”, gjërat do të vështirësohen. Amerika do të tërheqë disa vija të kuqe, dhe do t’i zbatojë ato në një mënyrë më të besueshme, thotë Lizel Hinc e Universitetit Xhon Hopkins. Erdogan do të ketë më pak hapësirë për të arritur kompromise me Shtëpinë e Bardhë. Sanksionet mbi sistemin rus do të jenë më të vështira për t’u anashkaluar, sidomos pasi Turqia e testoi në tetor këtë sistem.
Nga ana tjetër, ekziston një kufi se sa larg është i gatshëm të shkojë Erdogani për të qetësuar administratën e re amerikane. Pavarësisht fjalimeve të tij fundit për reforma, ai nuk do të lehtësoje kontrollin e tij mbi institucionet kombëtare, dhe as të heqë dorë nga përndjekja e kundërshtarëve. Prokurorët e tij çelën kohët e fundit një hetim ndaj Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë së Stambollit nga radhët e opozitës, pasi ai kritikoi një nga projektet më të preferuara të presidentit, një kanal midis Detit të Zi dhe atij Marmara.
Erdogan duhet të shpresojë që fillimi i presidencës Bajden, të jetë më i mirë se fundi i presidencës Trump. Më 16 nëntor, sekretari i shtetit i zotit Trump, Majk Pompeo, i tha një gazete franceze se Amerika dhe Evropa, duhej të përballeshin me “veprimet agresive” të Turqisë gjatë muajve të fundit. Një ditë më vonë Pompeo shkoi në Stamboll, ku vizitoi Patriarkun Ekumenik për të diskutuar mbi liritë fetare në Turqi (dhe ndoshta e dënoi shndërrimin në një xhami nga Erdogan të Hagia Sophia, një bazilikë e lashtë e krishterë). Ai nuk takoi asnjë zyrtar turk.