Nëse prisnim në Kuvend ish-ministra të qeverisë Rama që sot të paktënt të ngrinin zërin, në dy orë debat mund të themi se shpresat kanë vdekur.
Njësoj si Arben Ahmetaj dhe Fatmir Xhafaj, i përfolur për kundërshtitë e tij me Ramën, është shprehur se rruga e ndjekur nga Meta për shtyrjen e zgjedhjeve është e gabuar, dhe i jep alibi opozitës për tensionimin e mëtejshëm të situatës.
“Presidenti ka gabuar në rrugën që ka zgjedhur, pasi iu shërben si alibi opozitës. Presidenti imponoi mekanizma juridikë në një krizë politike, duhet të kishte përdorur ura kompromisi mes palëve, që hera herës kanë sjellë dhe zgjidhje të mençura, siç ishte ajo që bëri Alfred Moisiu në 2007-tën”, u shpreh Xhafaj në nisje të fjalës së tij.
E teksa fliste se politika shqiptare ka një krizë lidershipi, fajin e gjeti në selinë blu, pasi sipas tij Basha është një lider që nuk frymëzon askënd, dhe është nën hetim në Shqipëri dhe në SHBA.
“Në krye të PD është një njeri që gënjen edhe për orën e dorës, një njeri që ka bërë pis zgjedhjet kudo ku është përfshirë. Basha është një njeri në hetim këtu dhe në SHBA.
Si mund të imponohet Basha, një njeri që kërkon të vijë në pushtet me dhunë. Ky njeri flet për kapje të drejtësisë, që ishte i kapur kokë e këmbë. Nëse nuk do të ishte kapur drejtësia, Basha do të ishte sot në burg për tre akuza të rënda, për detin, pastrim parash dhe vrasje të kryer me dashje. Drejtësia ende është e kapur, sepse përndryshe Basha do të burgosej, për gjithçka ka bërë.
Një gjë është fakt: Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur. Opozita ka vetëm alibi politike, paranoja dhe frikë për të nesërmen. Ka paranoja djathtas dhe majtas. Do të ketë një drejtësi të re në shërbim të qytetarëve të vendit”, u shpreh më tej Xhafaj.
(E.K/Faxweb.al)