Në një bisedë me skype nga Italia, ka folur njëri nga infermjerët që ditën e djeshme u nis drejt Italisë për ti ardhur në ndihmë stafit mjekësor atje në luftën përballë koronavirusit.
Gjana tha se ditën e parë ju është komunikuar gjendja dhe mënyra se si punohet, ndërsa nga dita e nesërme do të jenë në krah të kolegëve italianë.
Ai më tej pohoi se ka pafund ambulanca dhe avionë që vijnë me pacientë të infektuar, ndërsa stafi i mjekëve dhe infermjerëve shqiptarë ndodhen në spitalin civil të Brescias.
“Vijnë pafund avionë dhe autoambulanca me pacientë. Që nesër në orën 10:00 ne do të paraqitemi atje, patjetër që kemi frikë por jam i sigurt që do t’ia dalim me gjithë përkushtimin dhe kujdesin maksimal. Kjo është një pandemi që preki këdo, qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, shpëtojnë jetët e tyre, të familjarëve dhe na ndihmon edhe ne. Përgjithësisht pacientët që nuk janë në terapi monitorohen ndërsa pjesa tjetër me anti-viral pasi ende nuk është zbuluar origjina e COVID-19. Masat janë të rrepta por edhe stafi mjekësor i zbaton me kujdesin maksimal. Nga Shqipëria kanë ardhur 30 mjekë dhe infermjer, më shumë janë infermjerë. Përgjithësisht janë nga stafi i QSUT-së dhe kemi marrë informacionet e duhura dhe nuk mendoj se do të gabojmë. Falenderimet e italianëve janë maksimale. Nuk kemi informacion nëse ka pacientë shqiptarë këtu në Brescia”, tha Gjana për Fax News.
Shqipëria ka nisur dje 30 mjekë drejt Italisë, për të qenë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19. Dërgimi i mjekëve është bërë pas një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Luigi Di Maio.
Mjekët shqiptarë do ndihmojnë kolegët e tyre në përballimin e situatës që po kalon Italia me përhapjen e koronavirusit ku deri tani kanë humbur jetën mbi 10 000 përsona ndër to edhe disa mjekë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)