Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka njoftuar shkarkimin nga detyra të prefektit të Qarkut Shkodër Çesk Millja dhe zëvendësimin e tij nga zv/miinistri Besfort Lamallari.
Lleshaj tha se emërimi në këtë funksion i një zv/ministri tregon interesin që ka qeveria për kryeqendrën e veriut, ndërsa pohoi se Lamallari nuk do të ketë vetë këtë funksion por edhe bashkëpunimin me kryebashkiakët e qarkut për daljen sa më shpejt nga situata e pandemisë.
“Këshilli i Ministrave me një vendim të sotëm ka vendosur lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut të Shkodrës, të z.Çesk Millja. Ky vendim është marrë në kuadër të përpjekjeve për një mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë për Shkodrën në tërësi dhe sidomos për mbështetjen e masave për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
Nëse kemi shprehur rezerva deri tani për gjendjen në Shkodër, kjo nuk do të thotë që të gjitha vërejtjet janë adresuar vetëm Bashkisë atje. Në mënyrën se si kanë funksionuar apo nuk kanë funksionuar gjërat në Shkodër, kanë ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar të degëve territoriale, si dhe vetë Prefekti i Qarkut, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë atje. Për fat të keq, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është vërejtur një inerci burokratike e papranueshme, një hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë e lidershipit aq të domosdoshëm sidomos në situata të tilla”.
“Lamallari do të ketë bashkëpunim me kryetarët e Bashkive. Komandimi i një zv.ministri në këtë funksion është shprehje e rëndësishëm që qeveria i kushton gjendjes në qarkun e Shkodrës. Do të ketë në dispozicion jo vetëm rolin e prefektit. Kam besim se drejtuesit e bashkive të qarkut do ta vlerësojnë këtë gjë si një shenjë e një vlerësimi të qartë”, tha Lleshaj.
“Kryeministri Rama dhe qeveria kanë besim të plotë se z. Lamallari do ta kryejë me përgjegjësi këtë detyrë. Kryeministri dhe qeveria kanë shumë plane ambicioze për Shkodrën. Ajo që qeverisë i nevojitet më së shumti janë partneritetet e gjera.
Duke e konsideruar këtë hap si një tjetër dorë të shtrirë për bashkëpunim në interes të Shkodrës dhe qytetarëve, ftoj aktorët të bashkëpunojnë dhe mbështesin z. Lamallari”, vijoi ministri.
(F.GJ/FAXWEB.AL)