AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Shkarkimi i Presidentit/ Zbardhet plani paraprak i hetimit, hapat që do të ndiqen

Komisioni Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, ka bërë publik planin paraprak të hetimit.

Komisioni ka vendosur të miratojë Planin Paraprak të Hetimit, i cili përcakton veprimet hetimore që do të kryhen duke u mbështetur në 3 shtylla kryesore që janë “objekti dhe baza ligjore”, “hapat proceduriale që do të ndiqen nga Komisioni” si dhe “rrethi i personave të ngarkuar”.

PLANI PARAPRAK I HETIMIT

Në mbështetje të nenit 77, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 11, pika 4 dhe të nenit 14, gërma “ç” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”  si dhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 84/2019 “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore””, Komisioni vendosi të miratojë Planin Paraprak të Hetimit[1], i cili, në përputhje me objektin e hetimit, përcakton veprimet hetimore që do të kryhen, si më poshtë vijon:

KREU I

OBJEKTI DHE BAZA LIGJORE

Objekti i hetimit të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në vijim Komisioni, të ngritur me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 84, datë 08.07.2019, është:

Verifikimi i të dhënave, fakteve dhe rrethanave për veprime e mosveprime të Presidentit të Republikës, të cilat përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra, në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Kontrolli i veprimtarisë së Presidentit të Republikës në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Baza ligjore e punës së këtij Komisioni do të jetë:

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

[1] Miratuar me vendimin e ndërmjetëm nr.2, datë 15.07.2019 të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”

  • Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
  • Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  • Rregullorja e Brendshme e Komisionit.

KREU II

HAPAT PROCEDURIALE QË DO TË NDIQEN NGA KOMISIONI

Hapat proceduriale që do të ndiqen gjatë zhvillimit të hetimit janë:

  1. Përgatitja dhe miratimi i Planit Paraprak të Hetimit.
  2. Miratimi i Rregullores së Brendshme të Komisionit.
  3. Njoftimi i Presidentit të Republikës në lidhje me të drejtën për t’u shprehur në Komision.
  4. Marrja e të dhënave zyrtare dhe jozyrtare që njihen publikisht, nga institucionet, lidhur me objektin e hetimit.
  5. Përgatitja dhe miratimi i Planit Përfundimtar të Hetimit.
  6. Seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës.
  7. Verifikimi, shqyrtimi dhe analiza ligjore e provave, e rrethanave, e fakteve dhe i seancës dëgjimore, të dala nga hetimi i kryer.
  8. Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
  9. Paraqitja në Kuvend e raportit përfundimtar.

KREU III

RRETHI I PERSONAVE TË NGARKUAR

  1. Anëtarët e komisionit
  2. Stafi teknik, konsulentët, specialistët, sipas nevojës.

KRYETARI

ULSI MANJA

(F.GJ/FAXWEB.AL)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *