Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjetan Gjetani, në lidhje të drejtëpërdrejtë me studion e lajmeve të televizionit Faxnews, ka komentuar votimin e parlamentit pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Gjetani shprehet se ai e deklaroi hapur votën kundër, pasi sipas tij nga raporti i Komisionit Hetimor nuk gjenden shkelje Kushtetuese.
Deputeti thekson se Ilir Meta ka kryer në lartisinë e duhur detyrën që i cakton Kushtetuta dhe shkarkimi është një tentativë e Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit.
“Unë e kam bërë transparente votën time, kundër shkarkimit të Presidentit të Republikës. Nga raporti i Komisionit Hetimor nuk më rezulton se presidenti ka kryer ndonjë shkelje të Kushtëtutës, kjo është dhe arsyeja e votës time kundër.
Unë e kam ndjekur me vëmendje të gjithë procesin hetimor dhe nuk është aspak e vërtet që Presidenti i Republikës ka bërë fushatë elektorale. Presidenti ka qenë në lartësinë e duhur të detyrës, ka kryer detyrën e tij Kushtetuese.
Çdo akt ligjor që ka ndërmarrë Presidenti i Republikës ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë.
Mund të ketë pas ndonjë moment emocionues, por mendoj se ka qenë më shumë shkelje etike sesa kushtetuese. Komisioni Hetimor i ngritur nga Edi Rama ka pasur si qëllim të përbalte Presidentin e Republikës, për të uzurpuar institucionin e vetëm që nuk është në dorën e kryeministrit”, tha Gjetani.