Sistemi Informatik i Zyrës me Një Ndalesë (SIZN) është tashmë funksional edhe në Bashkinë Divjakë, bashkia 27-të që përfiton nga ky sistem.
Veçoritë specifike të Sistemit Informatik të zyrës me një ndalesë mundësojnë përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve administrative nga qeveritë vendore, duke reduktuar ndjeshëm kohën, distancat dhe burokracitë me të cilat duhet të përballen qytetarët. Gjithashtu, ato pajisin vendimmarrësit me evidencë mbi performancën, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.
Stafi i bashkisë në Divjakë është trajnuar për veçoritë e sistemit, ofrimin e shërbimeve dhe procedurat administrative përpara se sistemi të bëhej funskional për qytetarët.
Në bashkinë Divjakë, SIZN funksionon në një strukturë moderne të rinovuar, ku shërbimet e qeverisjes vendore dhe qendrore ofrohen në një zonë të përbashkët, duke u bazuar në standardet e kujdesit ndaj klientit. Me Divjakën, numri i bashkëvendosjeve të tilla shkon në pesë, dhe më shumë janë planifikuar të hapen deri në fund të 2019, duke përmirësuar kështu qasjen në shërbime publike cilësore si për qytarët ashtu edhe për bizneset. Kjo bashkëvendosje vjen si rezultat i partneritetit me Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA) dhe ndihmën e projektit të zbatuar nga UNDP-ja ‘Mbështetje për inovacionin kundër korrupsionit: Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin në Shqipëri’ (ISDA Support Project). Falë kontributeve të përbashkëta nga Qeveria Italiane, ajo Austriake dhe UNDP-ja, projekti mbështet progresin e reformës së shërbimeve publike në Shqipëri.
Duke filluar nga viti 2018, projekti i UNDP-së, STAR2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese, ka avancuar me zbatimin e SIZN. Pas një vlerësimi mbarëkombëtar mbi shërbimet e ofruara nga 61 Bashki të Shqipërisë, mesatarisht 76 shërbime janë kataloguar, testuar dhe validuar.