Shtetet e Bashkuara dhe Polonia nënshkruan të shtunën një marrëveshje për bashkëpunimin ushtarak. Marrëveshja në kuadër të forcave të NATO-s, mundëson që forcat amerikane të kenë qasje për instalime ushtarake shtesë në Poloni.
Rreth 4,500 trupa amerikane ndodhen aktualisht në Poloni dhe ky numër do të shtohet me një mijë të tjera, sipas një marrëveshje mes dy vendeve një vit më parë.
Në korrik Pentagoni tha se rreth 12 mijë trupa do të largohen nga Gjermania prej të cilave 5, 600 do të stacionoheshin në vende të tjera të Evropës, përfshi Poloninë. Zhvendosja e trupave është në përputhje me kërkesën e Presidentit Donald Trump për të zvogëluar praninë ushtarake në Gjermani. Ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo nënshkroi gjatë turit të tij diplomatik në Europë edhe marrëveshjen përkatëse në Varshavë për stacionimin e ushtarëve amerikanë.
Presidenti polak, Andrzej Duda theksoi, se në fund në Poloni nuk do të ketë vetëm më shumë ushtarë amerikanë dhe më shumë infrastrukturë të ushtrisë amerikane. „Do të forcohet edhe garancia, që ushtarët tanë në çdo lloj rreziku, nëse është një rrezik për Poloninë apo SHBA do të qëndrojnë krah për krah.” Marrëveshja parashikon edhe zhvendosjen e një pjese të shtabit qendror të V.Korps të ushtrisë amerikanë në Fort Knox nga Kentucky në Poloni.