Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz thotë se miratimi nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i propozimit francez, për zgjidhjen e konfliktit me Bullgarinë, i hap rrugë mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave.
Në rrjetet sociale, Scholz shkruan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë vendin në Bashkimin Europian.
“Përshëndes votimin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut që hap rrugën për konferencat e para të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne ju duam si anëtarë të BE-së dhe do të jemi pranë jush gjatë gjithë rrugës”, thotë Kancelari Scholz.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka përshëndetur votimin e sotëm në kuvendin maqedonas, që miratoi propozimin francez për të zgjidhur ngërçin me Bullgarinë.
‘Mezi presim hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa takohemi të martën në Bruksel”, ka shkruar Varhelyi në një status në Tëitter.
Në lidhje me këtë votim të rëndësishëm në Kuvendin e Maqedonisë ka reaguar dhe Ursula Von der Leyen, e cila shkruan se Maqedonia u shpreh pro të ardhmes së saj europiane.
‘Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një mundësi historike. Dhe ju e kapët atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj.’- shkruan, Von der Leyen.
Votimi në Kuvendin e Maqedonisë u përshëndet dhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili tha se më në fund pas 3 vitesh nuk ka asnjë pengesë në rrugën e dy shteteve, dhe të martën pritet dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare.
Rama tha se delegacioni shqiptar do të nisej të hënën drejt Brukselit, ndërsa e përshkroi rrugëtimin disi të lodhshëm, ku u deshën tre vite nga drita jeshile për negociatat, deri në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.