Në konferencën e sotme për media të Kryeministrit dhe 2 ministrave e cila kishte në fokus ekonominë dhe rindërtimin folën me shifra veçanërisht për punën e bërë për rindërtimin e banesave dhe objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Por në vend të ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj i cili u përgjigj se sa familje kanë marrë çelësat e banesave të tyre apo sa shkolla kanë përfunduar, është përgjigjur shumë shpejt Rama:
“Asnjë objekt nuk ka përfunduar, se po të ishin bërë do të duhet të merrnim përsipër të gjithë ndërtimet në planet në terma të shpejtësisë”
Por menjëherë pas tij ka ndërhyri ministri Ahmetaj i cili u shpreh se 14 shkolla në 10 bashki përfundojnë brenda këtij viti. Ka pasur dhe dorëzime po marrim 31 dhjetorin si afat të fundit. Por shifrat që ju dhamë janë shifra reale, tulla dhe llaç”.
Më herët ministri i Rindërtimit deklaroi se:
“Janë edhe 2 mijë përfitues nga njësitë individuale. Janë 143 objekte arsimore që janë financuar nga buxheti i shtetit, në 33 objekte kanë filluar punimet, në 4 objekte pritet të nisin punimet, kemi 92 shkolla nga donatorët.
Një pjesë e mirë e banesave individuale mbarojnë më 31 dhjetor 2020. Kemi 92 objekte kolektive që duhen vlerësuar, shembje apo të tjera. Kanë nisur edhe ndërtimet që financohen nga qeveria turke. Brenda 15 tetorit hapen themelet e lagjes “5 maji”.
Po kështu Qeveria ka akorduar 9.44 miliardë lekë, që do të shkojnë në duar të familjarëve, banesat e së cilëve janë me probleme të vogla ose mesatare. Ndërsa, 20 miliardë lekë janë shpërndarë. Janë mbi 27 mijë familje që përfitojnë brenda tetorit 2020. Deri tani janë paguar mbi 19 mijë familje dhe në dorë familjet kanë marrë 5.4 miliardë lekë”, vlerësoi ai.