Ed Sheeran më në fund publikoi një projekt të ri muzikor. Kënga e titulluar “Bad Habits” shënon rikthimin e tij në muzikë pas deklaratës në 2019 për t’u tërhequr disi nga kjo e fundit dhe rrjetet sociale. Në Dhjetor 2020, ai publikoi “Afterglow” pas lindjes së vajzës si një dedikim për të, por tha se nuk kishte të bënte me albumin e ri.
“Bad Habits” është e mbushur me ritme verore, ndërsa pamja e Sheeran portretizon një un të dytë me flokë biondë në vend të flokëve të kuq dallues të tij dhe dhëmbë vampiri, si një metaforë për veset tona. Sytë ia rrethon një grim me xixa të kaltra që kontrastojnë me lëkurën e zbehtë dhe kostumin rozë.
“Është mrekulli të kthehem me një këngë të re. Doja që videoja e “Bad Habits” të luante me natyrën e zakoneve në një mënyrë fantastike kështu që vendosa për vampirët. Ishte shumë qejf të futeshe në rol, përveç pjesës së lartësive. Shijojeni”, shkroi këngëtari në postim.