Përfaqësuesja e opozitës në Këshillin Politik, Rudina Hajdari ka zbuluar përse është larguar nga mbledhja duke sqaruar se nuk e ka braktisur tryezën. Në një reagim në Twitter, Hajdari u shpreh se kisshte një angazhim personal dhe i kërkoi ndjesë kolegëve duke i siguruar bashkëpunim.
“Sqarim për mediat: Nuk e kam braktisur mbledhjen e KP, por me eshte dashur te largohem para kohe per shkak te nje angazhimi personal. U kam kerkuar ndjese kolegeve duke i siguruar ne bashkepunimin tim per sa kohe qe punojme ne dobi te qytetareve e jo te dy apo tre kryetareve”, shkroi Hajdari.
Mbledhja e ditës së sotme u propozua nga opozita jashtëparlamentare, e cila është e fundit para 30 Korrikut dhe pritej që të arrihej dakordësi mes palëve për ndryshimet kushtetuese.
Pak para se të niste takimi, u zbardh qëndrimi i opozitës që tregon të vetmin ndryshim kushtetues të nevojshëm për hapjen e listave 100%, i cili është: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.” Ky amendament duhet të reflektohet, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për qytetarët, nga të gjitha partitë politike dhe aktorët zgjedhorë, në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime duhet më pas të dërgohen për miratim në Parlament si një paketë e vetme.