Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për shifrën rekord të jetëve të humbura që u raportua sot nga Ministria e Shëndetësisë duke thënë se numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq. Kështu nënkuptoi se janë shënuar më shumë se 19 viktima gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.
Në shrimin e tij në Facebook, Basha thotë se Shqipëria ka hyrë në një situatë të vështirë dhe shqiptarët po e paguajnë cmimin e papërballueshëm.
“U takova sot me një grup nga mjekët tanë të mrekullueshëm. Ata janë në vijën e parë të luftës me COVID. I përgëzova për përpjekjen e tyre për të shpëtuar jetë. Mjekët tanë përballen heroikisht në këtë betejë, edhe pse nuk marrin thuajse asnjë ndihmë nga qeveria.
Ata më përshkruan një realitet shumë shqetësues. Sot, një numër rekord vdekjesh janë regjistruar në Shqipëri që nga marsi. Fatkeqësisht, numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq.
Shqipëria hyri në krizën e COVID në një situatë të vështirë, pas 7 vitesh përgjatë të cilave Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët e Shqipërisë janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit dhe kujdeset për ta. Është në dorën tonë ta bëjmë realitet këtë”, shkroi Basha.
Kujtojmë se para disa ditësh publikoi fakte tronditëse për shifrat reale të jetëve të humbura duke thënë se që nga Marsi e deri në muajin Tetor, janë 414 raste vdekjesh nga Covid-19 që janë mbajtur të fshehta. Basha tha se autoritetet për periudhën Mars-Tetor kanë raportuar vetëm 509 raste fatale ndërsa realisht sipas tij, janë 923 viktima nga Covid-19. (A.M/Faxweb.al)