Kreu i qeverisë Edi Ramës është ndalur gjatë ditës së sotme te furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve dhe me energji elektrike. Sipas Ramës në mandatin e tretë do të garantohet 24 orë në ditë në Tiranë, Kamëz, Vorë dhe në të gjithë vijën bregdetare, që ka dhe fluks të turizmit.
Sipas Ramës furnizimi me ujë ka qenë një nga sfidat më të vështira të qeverisjes së tij, ndërsa tha se më në fund ishte shmangur punësimi partiak në radhët e drejtorive të ujësjellësave.
“Ne kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare. Në dhjetor të këtij vitit do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë. Nga një anë kemi rritur si asnjëherë më parë furnizimin me ujë në rang territori. Njëkohësisht nga ana tjetër ne kemi hyrë në një proces transformimi në disiplinimin e marrëdhënieve mes konsumatorit dhe këtij malli, jetik por mall sidoqoftë.
Kemi mbuluar me matëse 81% të popullatës dhe në fund të mandatit të tretë shkojmë 96%. Pra thuajse dyfishi i popullatës që kishte një matës në vitin 2013. Sfida e ujit është një sfidë që po fitohet dhe këtu kam parasysh se është një sfidë krejt e ngjashme me të gjitha sfidat e tjera që po fitohen. Pra, që do të thotë se na duhet kohë akoma.
Ndërmarrje e Ujësjellësit ishin fole punësimi partiak. E nisëm më konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit me krijimin e një agjencie kombëtare që koordinon nga lart investim dhe sistemin e furnizimit me ujë dhe administrimin e mbetjeve me një plan strategjik dhe financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri pas tjetrit. Kemi miratuar gjatë mandatit të 2-të 320 projekte dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur mbi 200 kantiere për ujësjellës që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti, në territor, që e kanë pasur një vuajtje dhe lëngatë prej shumë dekada.
Në mandatin e tretë do të garantojmë me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamëz dhe Vorë, ku s’ka pasur ujë më parë. Po ashtu do të garantohet furnizimi 24 orë me ujë në të gjithë vijën bregdetare. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale.
Unë nuk jam i përsosur, ama një gjë është e sigurtë, unë jam këtu për të luftuar për të gjithë ne bashkë, pasi dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e të gjithëve, ku çdo fëmi i kësaj republike të ndihet krenar”, deklaroi Rama.
Sa i takon sektorit të energjisë, Rama tha se është përmirësuar ndjeshëm niveli i humbjeve, ndërsa arkëtimet gjatë qeverisjes së socialistëve janë dyfishuar.
“Nga ana tjetër niveli i humbjeve në sektorin e energjisë ishte katastrofik, që shkonte deri në 50%. Ndërkohë që sot kemi arritur në një nivel që është 21% që ka të bëjë me ato që quhen humbje teknike dhe që po rikuperohen me investime të reja. E pra ne do ta çojmë në mandatin e tretë. Humbjet teknike në 10% e pranueshëm botërisht, ndërsa aktualisht humbet 21%.
Arkëtimet, sot kemi dyfishin e arkëtimeve sepse sot kemi të përfshirë të gjithë qytetarët në një proces transformimi që nuk do mund të kishte ndodhur pa ata. Rrezikonim të shkonin në kolaps energjik, me 1.2 mld borxhe të trashëguara, kemi bërë investime që janë bërë në një realitet ku 80% e rrjetit të shpërndarjes e gjetëm mbi 40 vjeç, madje ka pasur edhe relike të vitit 1936, një tmerr dhe sot e gjithë ditën me të drejtë shumë kush qahet pse kur fryn erë ikën energjie, apo kur bie borë, përtej faktit që kjo gjë mund të bëjë ndërprerje të SHBA, por tregon që duhet sërish investime, kemi ofruar gjysmë miliardi dollarë investime.
Të rrisim sigurinë e furzinimit për të gjithë. E dyta të ndërtojmë dhe të transformojmë në stacionet e tjera në rang vendi nga veriu në jug një rrjet të ri 20kv me një seri kabinash tjetra që do të garantojnë një kompleks një siguri energjike dhe një cilësi më të mirë. Të fuqizojmë aspektin teknologjik smart, në monitorim dhe operim përmes një sistemi që është i instaluar në Shqipëri dhe e ka atë bazë të nevojshme për t’u shtrirë dhe zhvilluar duke telekomanduar në distancë të gjitha kabinat dhe duke filluar nga Shkodra në zona të tjera pasi është ndërtuar zemra këtu në pellgun Tiranë-Durrës.
Një fakt që ka rëndësi të thuhet, ishim 154-tët në botë për kohën e lidhjes energjisë elektrike për një subjekt, sot jemi në vendin e 44. Deri në 2016 ishit në ankthin e faturave afrofe, një formë mbledhjeje para, jo duke bërë që të paguani atë që ju takonte, por për të siguruar mbijetesën në pasigurinë në atë gropë borxhesh. Afrofeja u zhduk, siç u zhdukën shumë të këqija. Kërkojnë që të rikthejnë ato gjëra që ne mezi i hoqëm nga sistemi”, tha Rama.
(E.K/Faxweb.al)