Zija Alhysa, ndihmës epidemiolog në Durrës, i cili u ankua disa ditë më parë për mungesën e tamponeve, dhe u akuzua nga kryeministri Rama se ka gënjyer, flet në Fax News dhe tregon të vëretën e tij.
Ndryshe nga sa tha Rama, se ishte thjesht një infermier dhe nuk ka lidhje me tamponet, Alhysa u shpreh se ai është personi që u merr tamponet qytetarëve në Durrës dhe kjo gjë mund të vërtetohet lehtësisht.
Sipas tij vetëm pasi shqetësimi u bë publik në media, gjatë ditës së djeshme në Durrës, janë dhënë nga ISHP 70 tampone. Alhysa tha se do ta ndjekë ligjërisht çështjen, pasi nxjerrja e të dhënave personale nga ana e Ramës është jashtë çdo norme penale dhe ligjore.
“Jam personi që marr tamponet në Njësinë vendore në Durrës. Unë nuk jam as deputet, unë nuk jam njeri matrapaz, që të merrja një diplomë fallso me lekë. Nuk jam për këto lloj diplomash unë, jam për t’iu hapur rrugën të rinjve, që të mund të studiojnë.
Nuk kam gjë as me ministrinë, as me drejtoreshën e ISHP-së, nuk kam gjë personale me asnjë, personale e imja është nxjerrja e të gjitha materialeve të mia në televizion, për të cilën do të shkoj dhe në gjykatë.
Kam dalë në ekran, dhe sa herë që më kanë pyetur kam thënë statusin që kam pasur, jam ndihmës epidemiolog. Dy vërejtje kam bërë unë, një që nuk ka tampone, dhe dy që mjekët nuk kanë marrë paratë që u janë premtuar.
Dje pas ngritjes së shqetësimit kam mundur që të marr 70 tampone”, u shpreh Zija Alhysa.
(E.K/Faxweb.al)